
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka tentuar ta sqarojë deklaratën e saj të dhënë në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, një ditë pas vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj, kur kishte thënë se viktima fatkeqësisht nuk kishte kërkuar ndihmë nga Qeveria.
Gërvalla ka thënë se deklarata e saj ishte reagim ndaj deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, e cila në seancë kishte deklaruar se Arlinda Zekaj i ishte drejtuar Qeverisë, por nuk kishte marrë ndihmë.
Ministrja kërkoi nga përfaqësuesit politikë dhe mediat që t’i dëgjojnë me kujdes deklaratat para se t’i përsërisin ato, duke pretenduar se po kontribuojnë në përhapjen e një propagande të vazhdueshme
Ajo sqaroi se, sipas informacioneve që kishin në atë kohë, Zekaj nuk i ishte drejtuar Qeverisë, por Prokurorisë, përkatësisht kryeprokurores tashmë të suspenduar, përmes një letre personale.
“Reagimi im ka qenë lidhur me deklaratën e deputetes Time Kadrijaj, e cila në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ka thënë: Arlinda Zeka i është drejtuar Qeverisë, dhe Qeveria s’ka ndërmarrë asgjë. Ai ka qenë reagimi im ndaj asaj deklarate, kam thënë: Nuk është e vërtetë, Arlinda Zeka i është drejtuar Prokurorisë”, ka thënë Gërvalla.
Ministrja ka theksuar se thirrja e saj nuk ka qenë që qytetarët të mos u drejtohen institucioneve të drejtësisë, por që të kërkojnë edhe mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë kur ndihen të padëgjuar nga institucionet përkatëse.
Ajo tha se ministria pranon çdo ditë ankesa dhe kërkesa nga qytetarët, të cilët kërkojnë ndihmë për raste të ndryshme, përfshirë edhe ato të dhunës në familje.
Gërvalla shtoi se, ndonëse nuk ka kompetencë të ndërhyjë në vendimet e gjyqtarëve apo në punën e organeve të drejtësisë, ministria përpiqet t’i dëgjojë qytetarët, t’i orientojë dhe t’i ndihmojë në adresimin e shqetësimeve të tyre.
“Thirrja ime është që unë e ndjej si obligim si ministre e Drejtësisë dhe si koordinatore për çështje të dhunës në familje, që nëse institucionet e drejtësisë keni ndjenjën që nuk po ju dëgjojnë, nuk po i adresojnë temat tuaja, ejani ulemi bashkë, se ndoshta së bashku gjejmë një mundësi pak më të shpejtë për të adresuar dhe orientuar shqetësimin e secilës nga palët që meritojnë mbrojtje”, ka deklaruar ajo.