Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Rasti i Arlindës, Sveçla: 11 policë të suspenduar, përgjegjësia do të shkojë deri në fund

Gazeta10
30 October 2026 - 9:43

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se 11 zyrtarë policorë në Pejë janë suspenduar pas gjetjeve të raportit për veprimet dhe mosveprimet institucionale në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Në konferencën për media, Sveçla tha se këto 72 orë kanë konfirmuar dhe qartësuar dështimet në trajtimin e rastit.

Ai bëri të ditur se raportin mbi veprimet e ndërmarra nga Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor ia ka dorëzuar kryeministrit, Albin Kurti.

Sipas Sveçlës, gjetjet e raportit, të cilat pret të trajtohen edhe nga Prokuroria, evidentojnë shkelje nga zyrtarët policorë.

Ai paralajmëroi se hetimet e mëtejshme mund ta zgjerojnë rrethin e personave përgjegjës.

Sveçla theksoi se asnjë pozitë apo gradë nuk mund të shërbejë si mburojë për t’iu shmangur përgjegjësisë.

“Për çdo paralajmërim të Arlindës që nuk ka marrë reagimin e duhur institucional, do të kërkohet përgjegjësi. Arlinda kishte kërkuar mbrojtje. Çdo veprim dhe mosveprim do të hetohet deri në fund”, deklaroi ai.

Ministri tha se të gjitha rastet e tjera të identifikuara do të trajtohen me seriozitetin më të madh.

Ndër të tjera, ai bëri të ditur se janë identifikuar 155 raste aktive me rrezikshmëri të lartë, për të cilat Policia ka raportuar lidhur me veprimet e ndërmarra.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.