
Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka thënë se sot procesi i liberalizimit të vizave për kosovarët shënoi një hap të rëndësishëm.
Gërvalla përmes një statusi në Facebook, ka deklaruar se me këtë hap ka nisur edhe faza e fundit e këtij procesi që kosovarët e meritojnë prej kohësh, transmeton Gazeta10.
“Siç e kemi thënë edhe më parë, sot nuk ishte dita e vendimit. Sot ishte dita e nisjes së fazës së fundit të këtij procesi, i cili kohë të gjatë ka vendnumëruar, por që tani është në lëvizje dhe drejt zgjidhjes së tij, ashtu siç e meritojnë qytetarët e Kosovës prej kohësh”.
Gërvalla, mes tjerash, thotë se Grupi Punues i Këshillit të BE-së për vizat nuk pati kundërshtime dhe kontestimi veçse janë ngritur disa çështje teknike.
“Grupi për Viza mirëpriti përditësimin nga Komisioni dhe përgjithësisht përkrahu vazhdimin e procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Nuk pati kundërshtime dhe kontestime. Janë ngritur çështje teknike, të cilat do të adresohen në diskutimet e mëtutjeshme brenda Grupit për Viza, prej ku procesi do të vazhdojë tutje drejt përmbylljes në afatin e rregullt”./Gazeta10