
Ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka komentuar në emisionin “Java” krahasimet që po bëhen mes audioincizimeve të publikuara së fundmi, ku kryetari i Obiliqit, Halil Thaçi, flet për punësime në KEK, dhe rastit të njohur si “Pronto”.
Grabovci i ka cilësuar këto krahasime si të pabaza, duke thënë se rasti i tij ishte përdorur për qëllime diskreditimi.
“Paftyrësia e këtyre njerëzve nuk ka kufij. Kjo është diçka e pakrahasueshme. Unë kam qenë i bindur se pse ka ndodh ‘Prontoja’, qëllimi ka qenë diskreditimi, por kam bërë thirrje publike se kam qenë i gatshëm të përballem me ligjin”, ka deklaruar Grabovci.
Ai ka thënë se në audioincizimet e publikuara në kuadër të rastit “Pronto” nuk dëgjohen kërkesa për kushtëzime me vota apo para.
“E them me krenari të plotë se kurrë në ato audio-incizime s’kam dëgju dikë duke kërku kushtëzim me votë, me para… Janë biseda që janë ba se kush mund të konkurojë dhe kush jo”, ka thënë ai në “Java” në Kanal 10.
Grabovci ka thënë se është e drejtë që një parti politike, pasi ta marrë pushtetin, të punësojë njerëz që i konsideron të përshtatshëm, por jo duke u bërë padrejtësi të tjerëve.
“Për mua është shumë normale nëse një parti e merr pushtetin dhe i punëson njerëzit e vet, por jo me ba padrejtësi ndaj të tjerëve”, ka thënë Grabovci.
Ndryshe, audioincizimet e publikuara së fundmi, të cilat lidhen me kryetarin e Obiliqit, Halil Thaçin, kanë nxitur reagime dhe diskutime për ndërhyrje të mundshme në punësimet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Ndërsa “Pronto” i referohet përgjimeve telefonike të publikuara në vitin 2016, ku dëgjoheshin zyrtarë të PDK-së duke diskutuar për emërime dhe punësime në institucione publike. /Gazeta10/