
Granit Xhaka ka hedhur poshtë zërat për një transferim te Chelsea, duke konfirmuar se do të vazhdojë karrierën te Sunderlandi, pavarësisht interesimit të madh nga trajneri Xabi Alonso, me të cilin kishte bashkëpunuar më parë te Bayer Leverkuseni.
Mesfushori shqiptar foli pas fitores së Zvicrës ndaj Kolumbisë në Kupën e Botës 2026, duke bërë të qartë se vendimi i tij është përfundimtar.
“Sunderlandi ka qenë shtëpia ime që nga dita e parë. Të gjithë jemi shumë të lumtur. Kam vendosur të qëndroj aty ku jam, gjëja më e rëndësishme është familja. Jam gati të bëj histori me ta.”
Sunderlandi e mbylli sezonin e kaluar në vendin e shtatë në Ligën Premier dhe siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Evropës, ndërsa drejtuesit e klubit nuk kishin ndërmend të lejonin largimin e Xhakës. Në anën tjetër, Chelsea mbeti jashtë garave evropiane për sezonin e ardhshëm.
Xhaka komentoi edhe suksesin e Zvicrës në Kupën e Botës, pasi skuadra e tij siguroi kualifikimin në çerekfinale pas fitores ndaj Kolumbisë me penallti.
“Ende nuk mund ta besoj plotësisht atë që po ndodh… sot është një ditë e veçantë për të gjithë ne”, deklaroi Xhaka.
Zvicra përndryshe në çerekfinale të Kupës së Botës do të përballet me kampionin në fuqi, Argjentinën.