
Nga stanet e rrethuara me dru zjarri vërehet lehtësisht shkëlqimi i perlave natyrore të Moknës. Në oborrin me disa pullaze për vizitorët, që nga fillimi i verës mblidhen rreth sofrës tradicionale shqiptare. Përgatitja e ushqimit për mysafirët tashmë është kthyer në rutinë për Gjevahire Gusturanaj. Për gjashtë muajt e vitit, në tri vakte të ditës, ajo po u ofron mirëseardhje turistëve nga gjitha vendet. Në lartësi mbidetare prej 1900 metra, turistët tash e katër vjet shijojnë panoramën e rrafshit të Dukagjinit.
Biznesi nga shtëpia tash është kthyer në një pikë të fortë të promovimit të turizmit malor dhe jo vetëm. Gjevahirja nga Istogu kujdeset edhe për bagëtitë, të cilat çdo vit i shton edhe më shumë.
“Merrem në bjeshkë me turizëm, me ushqime tradicionale. Kemi lopë, dele, dhi, produkte ushqimore çka i përkasin të gjitha këtyre djathë, mazë, kos, gjizë, kumshtë, flija. Krejt këto çka i porosisin turistët, ne i bëjmë… Që 13 vjet, por me turizëm merremi që katër vjet”, tregon ajo për KosovaPress.
Gruaja shqiptare nga Istogu nuk përmend vetëm një arsyeje, pse turistët duhet të zgjedhin bjeshkën e Moknës për vizitë.
“E para pikë është fjetja që donë me ardh, me u stacionua dhe me flejt, ushqimet, prej çajit, qumështit, buka, këto gjitha çka i përket një turisti janë tek unë…. Pika e parë është se është vendi shumë i mirë, si bjeshkë e Moknës, është shumë ajri i pastër, uji, plus ushqimet, gjumi, të gjitha janë në përgjithësi, janë bio”, shprehet ajo.
Gjevahirja bashkë me burrin e saj po mbajnë familjen, ani pse vështirësitë ishin të pa-llogaritura kohën kur nisën këtë biznes.
“Në punë nuk kemi qenë as unë as burri. I kemi pasur tre fëmijë me i shkollua, është dashur me diçka me u marrë. E kemi nis prej zeros, për një femër është shumë. Janë 50 për qind punë që mundet edhe mashkulli t’i bëjë, i bëjë unë…. Në fillim kur ja kemi nisur si të gjithë te shqiptarët, me atë që e kërkon bjeshka nuk i ke pas. Nuk e ke pas traktorin, kerrin me shkua, se ke pas kombin me bart sendet me i dërgua edhe në përgjithësi nuk i ke pas as kafshët. Është dashur të hyjmë edhe në bankë me marr edhe t’i bëjmë”, shton ajo, teksa flet për punën që bën tash e më shumë se një dekadë.
Nëna e tre fëmijëve tregon se nuk gëzuan asnjëherë ndihmën nga dora e institucioneve, që të lehtësohet puna e saj në këtë biznes.
“Krejt komuna e Istogut e dinë një femër si unë me çka merrem, se vijnë në bjeshkë i kërkojnë këto produkte që i përmenda edhe ua ofroj, e dinë me çka merrem. Qeveria të më ndihmojë, pak qeveria, pak komuna, pak ne edhe bëhet komplet”, thekson ajo.
“E bukura dhe e dobishmja”, kështu e përshkruan ajo punën e saj të nisur dy vjet më parë, për të ndihmuar edhe gratë tjera serbe.
Dëshira e gruas serbe nga Graqanica është që biznesi i saj të zgjerohet dhe të punësojë edhe gra të tjera.
“Që Kateringu të funksionojë me kapacitet të plotë, ajo që kemi parë që na nevojitet përveç pajisjeve të kuzhinës, të cilat, për shkak të standardeve të përgatitjes së ushqimit dhe pastërtisë ku bëhet ushqimi, duhet të jenë prokromik. Do të na duheshin vitrina frigoriferike, kur është nxehët këtu nuk janë temperaturat e përshtatshme, kështu që një lloj pajisje ftohëse për këtë, do të na duheshin shumë gjëra. Ne kemi parë gjatë një viti e gjysmë që në fakt njerëzit kërkonin më së shumti që t’u dërgohej ushqimi, pra dërgimi i atij ushqimi në adresë, do të sillte me vete, përveç asaj që është mirë, është edhe një vend i ri pune, dikush që do të shpërndante porositë , por përsëri edhe mjeti, me të cilin do t’i shpërndajmë ushqimet në mënyrë të sigurt nga këtu në vendin ku kanë porositur ushqimin”, përfundon ajo. /Gazeta10/