
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se gjendja me grevën në arsim është alarmante dhe se nuk dihet se kur përfundon, raporton Gazeta10.
Hoxhaj ka thënë se kjo seanca nuk është ftuar për një grusht të votave.
“Ne nuk e kemi ftu këtë seancë për një grusht të votave, as se kemi ftu këtë seancë për sindikalistët e sindikatave por e kemi ftu për faktin që është një gjendje e cila është alarmante dhe nuk e di se kur përfundon”, ka thënë Hoxhaj.
Tutje, ai ka thënë se PDK nuk është sindikata e sindikatave por ata po reagojnë edhe sepse janë prindër që kanë fëmijë në shkolla publike.
“Ne nuk jemi sindikata e sindikatës por jemi edhe prind, kemi fëmijë në shkollat publike, dhe e dimë se sa e dëmshme është humbja e këtyre katër javëve të para të vitit shkollor, dhe mbi të gjitha edhe të faktit që ne jemi vend që kemi vend i cili ka problem kështu parimor dhe serioz edhe me kalendarin shkollor se kemi pak goxha shumë pak ditë të mësimit në shkollat tona”, ka thënë Hoxhaj.
Kujtojmë se punëtorët e arsimit janë në grevë në nivel vendi meqë Qeveria e Kosovës nuk po plotëson kërkesat e tyre.
Ministria e Financave fillimisht ua ka ndalur pagat grevistëve por më pas është tërhequr nga ky vendim meqë ka pasur një reagim të ashpër nga subjektet opozitare dhe shoqëria civile. / Gazeta10