
Përparim Gruda, koordinator i Departamentit për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë në PDK, ia ka numëruar qeverisë Kurti premtimet e parealizuara në fushën e drejtësisë gjatë 2 viteve të mandatit të Qeverisë Kurti, raporton Gazeta10.
Sipas tij Kurti nuk ka realizuar asnjërin nga premtimet kryesore në drejtësi, duke filluar nga padia për gjenocid, vetingu, lufta kundër krimit e korrupsionit etj.
“Është premtuar se do të ngritet padi për gjenocid ndaj Serbisë. Pas 2 viteve mandat, Qeveria nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim. Përkundrazi, Kryeministri Kurti është pajtuar për të nënshkruar një marrëveshje me Serbinë e cila parashikon që e kaluara jonë të tejkalohet, dhe po në këtë kohë është përkujtuar vdekja e kriminelit të luftës, Oliver Ivanović dhe është glorifikuar ish-kryeministri i Serbisë, Zoran Gjingjiq. Nga ana tjetër nuk është thënë asnjë fjalë për të mbrojtur themeluesit e UÇK-së që po gjykohen në Hagë:, ka shkruar Gruda në rrjetin social Facebook.
Gruda ka shkruar edhe për vetingun, për të cilin shkruan se ende nuk ka filluar. Sipas tij Ai u premtua reformimi i sistemit të drejtësisë, ndodhi e kundërta. U ulën pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve në mënyrë kundër-kushtetuese dhe në kundërshtim me standardet e Komisionit të Venecias.
“Historia e keqpërdorimit të vdekjes tragjike të Astrit Deharit ka vazhduar edhe këto dy vite sa LVV është në pushtet. Premtimi për të zbardhur të vërtetën e këtij rasti është mbuluar nga skandali i zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Ministrinë e Drejtësisë. Asnjë sqarim për këtë skandal dhe asnjë dorëheqje, e mbi të gjitha asnjë hap i bërë për të zbardhur të vërtetën e plotë të këtij rasti”, ka shkruar Gruda i PDK-së.
Ai në fund ka shkruar se Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit flet për korrupsionin qeveritar dhe për mungesën e luftës kundër krimit. /Gazeta10/