Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kadetët e FSK-së diplomojnë në Gjermani, Maqedonci: Do t’i bashkohen oficerëve të Ushtrisë së Kosovës

Gazeta10
05 November 2026 - 11:17

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se në ambasadën e Kosovës në Berlin është organizuar ceremonia e diplomimit të kadetëve të FSK-së, të cilët kanë përfunduar studimet trevjeçare në akademitë ushtarake të Gjermanisë.

Në ceremoni, sipas ministrit, morën pjesë edhe përfaqësues ushtarakë të Ministrisë Federale të Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura të Gjermanisë.

Maqedonci ka uruar kadetët e FSK-së për përfundimin e studimeve, teksa bëri me dije se të njëjtit do t’i bashkohen oficerëve të Ushtrisë së Kosovës.

“Urime Xheto Kelmendit për diplomimin në fushën e këmbësorisë, Leutrim Nikës në logjistikë, Gentri Azemit në IT ushtarake, si dhe Lavdim Sylejmanit dhe Betim Elshanit në polici ushtarake. Pas diplomimit, ata do t’i bashkohen trupës së oficerëve të Ushtrisë së Kosovës dhe do t’i shërbejnë vendit me njohuritë e përgatitjen e fituar”, tha ministri i Mbrojtjes.

Deri më tani, ai tha se 18 kadetë kanë përfunduar studimet në akademitë ushtarake të Gjermanisë, ndërsa 16 të tjerë po ndjekin studime ushtarake në akademi të ndryshme gjermane. Sipas tij, përmes programit Military Training Assistance, mbi 80 pjesëtarë të FSK-së kanë marrë pjesë në trajnime të ndryshme në Gjermani.

“Ky bashkëpunim po kontribuon në përgatitjen e kuadrove profesionale dhe në zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve tona mbrojtëse. E falënderoj Ministrinë e Mbrojtjes së Gjermanisë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, ndërsa kadetëve tanë u uroj suksese në shërbim të Republikës së Kosovës”, shkroi ministri Maqedonci në Facebook.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.