
Koordinatori për Drejtësi i PDK-së, Përparim Gruda, në “Info10” ka komentuar raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit i cili e ka cilësuar Kosovën si një vend që ka nivel të lartë të korrupsionit, raporton Gazeta10.
Gruda ka thënë se ky raport e vërtetoi që luftimi i korrupsionit e krimeve ka qenë vetëm diskurs propagandistik i Qeverisë Kurti.
“Mendoj që raporti i DASH që e tregoj atë që ne e kemi ditë, që lufta kundër korrupsionit e krimit si dhuna në bazë gjinore, dhuna në familje, gjitha këto gjatë këtyre dy vjete vetëm ka qenë pjesë e diskursit propagandistike të Qeverisë, asnjë rast s’kanë qenë agjendë serioze e Qeverisë për t’i luftuar këto dukuri”, ka thënë Gruda.
Tutje, ai ka hedhur kritika për Qeverinë edhe lidhur me ambasadorin Berishaj, duke thënë se është përmendur si rast në raportin e DASH-it.
“Raporti e thotë diçka që Qeveria toleron zyrtar të lartë të mbajnë pozita duke qenë të dyshuar për korrupsion, pra e kemi të qartë që flitet për ambasadorin Berishaj që është i përfshirë në një mega skandal ballkanik që po mbrohet nga kjo Qeveri. Pra ky raport vetëm e ka dëshmuar se është folur e është bërë propagandë dhe asgjë konkrete. Kur e kemi thënë ne është marrë se po bëhet ne emër të opozitarizimit”, ka thënë ai./Gazeta10