Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Haliti reagon ndaj Rron Gjinovcit: Mos mendo se po më mërzitë kjo fushatë e jotja e ndyrë kundër meje

Gazeta10
25 Tetor 2022 - 17:31

Kryesuesi i Këshillit Drejtues në Universitetin e Prishtinës, Altin Haliti, me një postim në Facebook ka reaguar ndaj një aksion simbolik të drejtuar nga ORCA para Rektoratit të Universitetit të Prishtinë, ku Haliti ishte njëri ndër të targetuarit për “Rreth plagjiaturës të përbashkuar!”, raporton Gazeta10.

Ai i është drejtuar aktivistit Rron Gjinovcit, duke thënë se jetën dhe punën e tij e ka të bazuar në djersë dhe punë të mundimshme.

“PËR RRONIN, DHE GJITHË RRONAT TJERË! Rroni nuk ka të ndalur… Ti Rron Gjinovci ndoshta nuk e di që në këtë botë, e edhe në Kosovë, ka njerëz që lidhen për ndërgjegje të tyre dhe pesë pare nuk i japin për këto broçkullat tua. Unë jam ndër ta. E për këtë kam arsye të fortë. Jetën dhe punën time e kam bazuar në djersë dhe punë të mundimshme. Nëse nuk e di, po të informoj se unë vij nga një familje e vogël, por shumë të ndershme, bile edhe akademike.”, tha ndër të tjera Haliti.

Haliti tutje është shprehur se duke pranuar këtë pozitë si kryesues në Këshillin Drejtues në UP, ka pasur si qëllim vetëm të jap kontributin për reforminin e UP-së dhe se ai ka pasur mundësi të zgjidhte jetën në ShBA, por që ka vendosur të qëndrojë në Kosovë.

“Unë fare lehtë kam mundur të mos jem në këtë pozitë. Nëse do ta dish, unë dhe familja ime fare lehtë kemi mundur të jemi diku jashtë, në USA psh, por kemi vendosur të qëndrojmë në Kosovë. Kur njeriu ballafaqohet me ty dhe njerëz si ti, edhe mund të mëdyshet nëse ia vlenë të jetohet këtu, nëse ia vlenë t’i rrisë fëmijët në këtë vend. Unë jam prind i dy fëmijëve të cilët dua t’i rris dhe edukoj në shkollat dhe kulturën e vendit tim. Nuk jam njeri i politikës, kurrë nuk kam qenë as nuk do më shihni në politikë.”, shtoi Haliti.

Tutje, ai tha se nuk është mjaftueshëm i ‘fuqishëm’ të amnistoj plagjiatorët por as edhe t’i identifikojë akademikët plagjiatorë.

“Po më akuzon për bashkëpunëtor të plagjiatorëve!!! A nuk të duket qesharake kjo? Unë, me demek, që posa e kam marrë përsipër detyrën, u bëra i fuqishëm të amnistoj plagjiatorët!! Nuk jam unë ai që mund të amnistoj, por as të identifikoj ‘akademikët’ plagjiatorë. Thonë që janë shumë, por unë nuk kam as kompetencë as fuqi për ta bërë këtë. Këtë punë duhet ta bëjnë strukturat udhëheqëse të UP-së. E këtë, siç ndoshta mund ta dini, nuk e kanë bërë deri tani. Me aq sa i njohë problemet e UP-së, plagjiarizmi është një ndër problemet akute që do duhej të merrej rektori i ardhshëm. E të menaxhosh probleme të kësaj natyre duhet të kesh integritet akademik dhe profesional.”, tha ndër të tjera.

Ai përfundoi duke e quajtuar fushatë të ndyrë kundër tij dhe se do të vazhdojë të jep kontributin e tij ndaj UP-së.

“Mos mendo se po më mërzitë mua kjo fushatë e jotja e ndyrë kundër meje. Vazhdo dhe mos u ndalë, se pesë pare nuk i jap. Se kush jam unë, nuk kam nevojë të më konfirmohet nga tipa si ti.

Unë do vazhdoj të jap kontributin tim deri sa të jem i bindur se po bëjmë punë të mirë. Me këtë rast dua t’i falënderoj kolegët e mi të këshillit për punë profesionale. Sfidat që na presin janë edhe më të mundimshme!”, përfundoi Haliti./Gazeta10.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.