Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka vlerësuar se Qeveria Kurti e ka katandisur Kosovën në të gjitha fushat.
Ai ka numëruar dështimet e qeverisë në këtë mandat.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hamiti ka shkruar se më 9 shkurt duhet të marrë fund kjo mendësi qeverisëse.
Sipas tij, VV-ja ka mendësi totalitare.
“Propagandistët që po i duartrokasin Albin Kurtit dhe formacionit të tij politik le ta dijnë se të pëlqyerit e tyre e kanë katandisur keq Kosovën në këto katër vjet. Kosovën e kemi për herë të parë nën sanksione ndërkombëtare për fajin e tyre: kemi humbur projekte të BE-së në vlerë prej qindra miliona eurosh deri tani. Asnjë njohje ndërkombëtare nuk e kemi prej vitit 2020. Kosovën e ka pllakosur korrupsioni masiv qeveritar. Ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës po i shkelin pamëshirshëm Albin Kurti me shokë e shoqe. Ekonomia e Kosovës ka stagnuar. Kosovarët po e braktisin me të madhe atdheun e tyre. Për të mirën e Kosovës, ky formacion politik dhe kjo mendësi totalitare duhet të mposhten me votë qytetare më 9 shkurt”, ka shkruar Hamiti.