
Raporti: Arta Mustafa / Kanal10
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se i kanë numrat e nevojshëm për të iniciuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti. Ai ka thënë se kjo është zgjidhja e duhur pas acarimit të raporteve me faktorin ndërkombëtar. Kritika ndaj Kurtit ka hedhur edhe ish-kryeministri, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se situata është kritike.
Dy ish-paraardhësit e Albin Kurtit, Ramush Haradinaj e Avdullah Hoti, e kanë kritikuar kreun e ekzekutivit kosovar për prishjen e raporteve me aleatët.
Për këtë, kryetari i AAK-së, ka deklaruar se e kanë numrin e nevojshëm të deputetëve për të iniciuar mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.
Ish-kryeministri Haradinaj ka thënë se është i papranueshëm eskalimi i fjalorit të kryeministrit ndaj aleatëve.
Sipas tij, një gjë e tillë e bën të vështirë rrugën përpara, për çka sipas tij, kanë filluar pasojat dhe se mocioni i mosbesimit është zgjidhja e duhur.
Nga LDK-ja nuk kanë treguar nëse do ta përkrahin mocionin e mosbesimit ndaj Kurtit, por kanë kritikuar qasjen e kreut të ekzekutivit ndaj faktorit ndërkombëtar.
Deputeti i kësaj partie, njëherësh ish-kryeministri, Avdullah Hoti ka thënë se me këtë sjellje të Kurtit, vendi mund të vijë në një situatë kur në veri, rendi dhe ligji të vendoset nga KFOR-i dhe EULEX-i, e jo nga Policia e Kosovës.
Sipas tij, Kurti në dy vitet e fundit ka sjellë një komunikim të vështirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se gjendja është kritike.
Pas situatës në veri të vendit, faktori ndërkombëtar ka rritur presionin ndaj Kosovës, nga e cila ka kërkuar uljen e tensioneve, organizimin e zgjedhjeve të reja në veri dhe rikthimin në procesin e dialogut.
Një kërkesë të tillë, me tri kushte, e kanë përsëritur së fundmi edhe dy emisarët e SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak. /Gazeta10