
Para mërgatës në Gjermani, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ka mungesë të vullentit të ndërkombëtarëve për ta detyruar Serbinë që ta njohë Kosovën.
Megjithatë, njohjen nga Serbia e ka cilësuar si një hap të mirë, ngaqë siç tha Haradinaj, do t’i mbyllte disa çështje të hapura.
“Do të ishte shumë e mirë sikur të ndodhte njohja nga Serbia. Ajo do ta mbyllte në tërësi çdo çështje të hapur si të krimeve të luftës, atyre dëmeve të luftës që kanë ndodhur”, ka thënë Haradinaj në ‘Politiko’ me Kushtrim.
Teksa ka shpalosur planin e tij, Haradinaj e ka quajtur më të rëndësishëm anëtarësimin e Kosovës në NATO sesa njohjen nga Serbia, duke thenë se suksesi i Kosovës nuk mund të lidhet me njohjen dhe pritjen pakufij nga Serbia.
“Për mos me mbet peng i kësaj klime ndërkombëtare, unë kam propozuar që neve të na jepet NATO. Pra, në vend që me na njoftë Serbia edhe me nënshkru marrëveshjet, për mua mjafton që vendet anëtare të na ndihmojnë me hy në NATO”, ka thënë Haradinaj. /Gazeta10/