
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pas takimit që pati me Presidentën e Kosovës Vjosa Osmani tha se ende ekziston rreziku për mundësi eskalim të situatës në veri të vendit.
Ai ka thënë se siguria në veri ishte arsyeja e ftesës së presidentes Osmani.Haradinaj tha se rreziku për mundësi të eskalimit në veri ekziston sërish.
“Biseda ishte kryesisht lidhur me situatën e sigurisë ne vend gjatë ditëve të fundit të ndërlidhura me sulmin terrorist që ndodhi më veri ku humbi jetën një epror i Policës së Kosovës. Kosova edhe në të kaluarën është përballur me situata të sigurisë. Kjo që ndodhi tani është e pastër terrorizëm. Është e logjikshme që të bashkëbisedohet në situata të tilla. Për shkak se rreziku vazhdon edhe me tutje, është prezent rreziku”.
Ai ka përgëzuar Policinë për aksionin në Zveçan, mirëpo sipas tij duhet të bëhet kujdes që edhe vendimmarrësit politikë të kryejnë me sukses punën e tyre.
Haradinaj tha se duhet të ketë një kurs te besueshëm me aleatet, pasi vlerësoi qe rreziku për sigurinë në veri vazhdon të jetë i lartë.
“Duhet që të bëjmë kujdes që edhe vendimmarrësit politikë ta kryejnë me sukses punë e vet. Përballja me rreziqe e sigurisë nuk bëhet duke e bartur përgjegjësinë vetëm te profesionistët, duhet ndihmesa politike edhe duhet një kurs politik i besueshëm me aleatët. Serbia nuk e fsheh faktin se është sponzorizuese, i ka stërvit dhe i ka dhënë udhëzimit këtij grupi terrorist. Është mirë që të zhvillimet një hetim që Serbia është faktorë, kjo dihet por të vërtetohet edhe nga hetuesit ndërkombëtar me mundësi të një gjykate”, tha ai.