
Përkundër që ende nuk ka asnjë aktakuzë të ngritur për gjykim në mungesë, ministrja Haxhiu thotë se ky ligj ka nisur së zbatuari.Kjo mënyrë e gjykimit ndodh për herë të parë në Kosovë dhe mund të procedohet vetëm pasi të dërgohen pesë ftesa në shtetin përkatës e të jenë shpallur në kërkim për hetim në procedurë penale për së paku gjashtë muaj në gazetën zyrtare.
E para e Drejtësisë shprehet se mbetet prioritet adresimi i krimeve të luftës, për çka kanë ndërmarrë disa veprime.
“Në secilin takim që kam pasur me krerët e sistemit të drejtësisë, kam vënë në pah rëndësinë për adresimin serioz të krimeve të luftës. Sepse, siç jeni në dijeni ka pasur mosveprim, neglizhencë, diku edhe të qëllimshme të misioneve që kanë qenë të instaluar në Kosovë”, thotë Haxhiu për KosovaPress.
Për hetimin e këtyre rasteve, Haxhiu thotë se duhet vullnet i hekurt dhe vigjilencë.“Unë si ministre e Drejtësisë thërras që Prokuroria Speciale t’i trajtojë me seriozitetin më të lartë këto çështje”, shprehet Haxhiu për KosovaPress.Për më tepër, ajo thotë se synimet janë edhe për fuqizimin e Departamentit që adreson krimet e luftës brenda policisë.Kujtojmë se, institucionet e Kosovës nga UNMIK dhe EULEX kanë trashëguar rreth 900 lëndë për krime e dy mijë të tjera për të zhdukurit.