
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje protestuesve që të ruajnë karakterin paqësor të protestës që po zhvillohet para Kuvendit të Kosovës.
Haxhiu tha se e drejta për protestë është e garantuar me Kushtetutë dhe duhet të respektohet, ndërsa kërkoi qetësi pas miratimit në lexim të parë të Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Para Kuvendit po zhvillohet një protestë për ndryshimin e ligjit. E drejta për protestë është e garantuar me Kushtetutë dhe si e tillë duhet të respektohet. Nga kjo foltore, si kryetare e Kuvendit dhe ushtruese e detyrës së presidentes, i bëj thirrje të gjithë protestuesve që ta ruajnë karakterin paqësor të protestës”, tha ajo.
Ajo theksoi se dhuna e dëmton kauzën që protestuesit synojnë ta mbrojnë.
“Dhuna e dëmton kauzën që të gjitha duam ta mbrojmë, atë të UÇK-së dhe të çlirimtarëve”, u shpreh Haxhiu.
“Kuvendi votoi në parim Projektligjin, prandaj ju bëj thirrje të gjithëve që ta ruajnë qetësinë dhe protesta të vazhdojë në mënyrë paqësore”, përfundoi ajo.