
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, tha se akuzat që, sipas tij, synojnë ta paraqesin UÇK-në si një ndërmarrje të përbashkët kriminale, janë “re e zezë mbi Kosovën”.
“Ky Kuvend nuk duhet ta lejojë këtë”, tha Gruda gjatë prezantimit të projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Nuk mund të lejojmë që të komprometohet historia e Kosovës dhe lufta jonë çlirimtare”, shtoi ai.
Gruda theksoi se Kosova nuk duhet t’i ikë drejtësisë, por njëkohësisht, sipas tij, nuk duhet të lejohet që proceset gjyqësore të përdoren për të njollosur luftën çlirimtare.
“Zotohemi se nuk i ikim drejtësisë. Por, nuk mund të lejojmë që historia e Kosovës dhe lufta jonë çlirimtare të komprometohen”, tha Gruda.