
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë kërkuar nga Kuvendi të miratojë Projektligjin për Dhomat e Specializuara në Hagë.
Duke hyrë në objektin e Kuvendit para nisjes së seancës plenare, nënkryetarja e Kuvendit, njëherësh deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se miratimi i ndryshimeve ligjore të Speciales është obligim kombëtar i Kuvendit.
“E kemi obligim jo vetëm politik, por kombëtar dhe qytetarë që sot të gjithë së bashku ta miratojmë këtë ligj. Ky ligj nuk është i një partie politike, por është ligj për historinë, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës”, tha ajo.
Edhe deputeti tjetër i PDK-së, Uran Ismaili, kërkoi miratimin e Projektligjit për Specialen.
“Po mendoj krejt Kosova po e pret një gjë të tillë. Krejt sytë e Kosovës janë në drejtim të këtij Kuvendi sot, që e ka mundësinë me i dhënë një transparencë më të madhe dhe një sistem të drejtësisë. Ky ligj është me çu drejtësinë deri në fund në vend dhe nuk është ligj që tenton me fsheh asnjë lloj krimi”, potencoi Ismaili.
Mbështetje miratimit të ndryshimeve ligjore të Gjykatës Speciale dha edhe deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Bajle.
“Po patjetër. Prej ditës së parë të karrierës kam përkrah çdo gjë nga UÇK-ja dhe kështu kam me vazhdu. Votën time e kanë për çdo iniciativë dhe normalisht edhe sot”, tha ajo.
Ndryshimet ligjore të Dhomave të Specializuara në Hagë po kërkohen pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së me 81 vite burgim.