Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Christopher Hill është rikthyer në publik nëpërmjet një interviste në Radiotelevizionin e Serbisë. Aty ka folur për zhvillimet e fundit ku ka theksuar se SHBA’të nuk janë prapa aksioneve të Qeverisë së Kosovës në Veri. Ndërsa ka theksuar po ashtu edhe mbështetjen e SHBA’së për dialogun edhe emisarin Miroslav Lajçak. Hill ka rikujtuar edhe çështjen e Asociacionit…, duke thënë se është elementi kryesor në tavolinë.
“Unë flas në përgjithësi sepse marrëdhënia jonë me Serbinë është me bazë të gjerë dhe sa më e gjerë të jetë baza aq më e gjatë do të jetë. Por sa i përket Kosovës, do t’ju përsëris se ne e mbështesim plotësisht atë që po bën Bashkimi Evropian, ne mbështesim atë që po bën z.Lajçak dhe mbështesim elementet që janë në tavolinë, elementi primar, natyrisht, është Asociacioni i Komunave Serbe dhe ne nuk jemi larguar nga kjo”, ka thënë ai.
Tutje, diplomati amerikan ka thënë se ajo që SHBA-ja po kërkon është suksesi në dialog “dhe si të arrijmë sukses, qoftë përmes deklaratave publike apo më shumë gjasa përmes kanaleve tradicionale diplomatike’.
“Kjo është ajo që ne po kërkojmë – sukses përmes dialogut. Ne nuk e shohim mundësinë e përparimit nëse dialogu nuk është në qendër të atij procesi, ne nuk shohim përparim përmes veprimeve të njëanshme dhe mendoj se e kemi bërë shumë të qartë. Mendoj se e kemi thënë qartë se cila është mënyra për kryerjen e punës”, ka potencuar.
Ndërsa duke u ndalur te emisari i BE-së Miroslav Lajçak, të cilit i kanë mbetur edhe disa muaj punë, Hill ka thënë se amerikanët punojnë ngushtë me të.
“Jemi shumë të afërt me zotin Lajçak. Sapo e pashë dje( gjatë forumit të Bledit). Kemi një të dërguar të ri, Sasha Kasanof (State Department). Ai sapo takoi z. Lajçak . Ne jemi në kontakt të ngushtë, ndajmë pikëpamjet tona dhe përpiqemi të mbështesim njëri-tjetrin”, ka thënë Hill.