
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se nuk ka analogji mes luftës në Ukrainë dhe asaj që ka ndodhur në Kosovë, raporton Gazeta10.
Hill këtë deklarim e ka bërë për televizionin serb, Nova S, ku ndër të tjera ka thënë se situata në Kosovë e qartësuar 23 vjet më parë nuk ka asnjë masë të ngjajshme me atë që po ndodh në Ukrainë.
“Ne besojmë se situata në Kosovë, që u qartësua 23 vjet më parë, nuk është në asnjë masë e ngjashme me agresionin e armatosur dhe pushtimin tokësor të Rusisë, sulmet e synuara ndaj ndërtesave të banimit ku jetojnë civilë, nuk shohim një analogji mes të synuara”, deklaroi Hill.
Më tej, ai ka thënë se Putin nuk shqetësohet fare për Kosovën por atë e shfrytëzon vetëm për legjitimimin e asaj që po ia bën Ukrainës.
“Unë mendoj se ai [Putin] nuk shqetësohet fare për Kosovën, ai vetëm po përpiqet të legjitimojë disi atë që u bëri fqinjëve të tij”, deklaroi ndër të tjera ambasadori amerikan në Serbi.
Hill ka thënë se mes ShBA-së dhe Serbisë ka shumë tema për të folur ku ndër të tjera është diskutuar edhe për Ukrainën si dhe krizën energjetike.
“Amerika dhe Serbia kanë shumë tema për të biseduar këto ditë, ndaj kemi biseduar për gjëra të ndryshme. U diskutua për energjinë, është e rëndësishme të trajtohet kriza energjetike që ka kapluar të gjithë botën. Ndër të tjera, edhe në Ukrainë. Mund të mos pajtohemi për gjithçka, por jemi gati të flasim”, ka shtuar ai. / Gazeta10