
Kryetari i Komisionit për Arsim dhe Shkencë, Enver Hoxhaj, ka kërkuar një Pakt Kombëtar për arsimin, duke theksuar nevojën për transformim rrënjësor të sistemit arsimor, mbështetje më të madhe për mësimdhënësit dhe përgjegjësi të qarta për rezultatet.
Në një postim pas pjesëmarrjes në diskutimin e organizuar nga Instituti EdGuard për rekomandimet e PISA-s, Hoxhaj ka thënë se rezultatet e dobëta të Kosovës janë pasojë e problemeve sistemike dhe reformave të pazbatuara.
“Kosova nuk është në fund të renditjes së PISA-s sepse fëmijët tanë janë më pak të zgjuar, por sepse sistemi ynë arsimor nuk është reformuar dhe transformuar siç duhet. Dështimi nuk është aksident. Është pasojë e gabimeve sistemike dhe e reformave të mbetura në letër”, ka shkruar Hoxhaj.
Ai ka kritikuar mësimin përmendësh në vend të zhvillimit të mendimit kritik, mungesën e mbështetjes dhe vlerësimit për mësimdhënësit, si dhe tekstet që nuk përputhen me kërkesat e kurrikulës.
Sipas Hoxhajt, përmirësimi i cilësisë në arsim kërkon paga më të larta, zhvillim profesional dhe kushte më të mira pune për mësimdhënësit. Ai ka theksuar gjithashtu nevojën për biblioteka funksionale, laboratorë që mundësojnë mësimin përmes eksperimentit dhe klasa që nxisin kureshtjen e nxënësve.
“Arsimi kërkon një Pakt Kombëtar, shkolla me më shumë autonomi dhe përgjegjësi të qarta për rezultatet. Është koha për një transformim rrënjësor. Fëmijët nuk mund të presin edhe një dekadë!”, ka përfunduar Hoxhaj.