
Gjykata Themelore në Gjakovë, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj ndaj të dyshuarit RR.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale të vjedhjes së rëndë.
Në njoftim shtohet se, i arrestuari dyshohet për vjedhje të rëndë, përcjell Gazeta Express.
Njoftimi i plotë:
Gjakovë, 14 tetor 2026
Gjykata Themelore në Gjakovë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një (1) muaj të pandehurit RR.H., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale të vjedhjes së rëndë.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se i pandehuri RR.H., me datën 12 tetor 2026, në mesnatë, në Gjakovë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, duke hequr pengesat, ia merr pasurinë të dëmtuarit, fqinjit të tij G.H., në atë mënyrë që, natën kritike, duke kapërcyer murin e shtëpisë së tij, kalon në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit, dhe përmes derës së tarracës hyn brenda shtëpisë. Nga aty merr një zarf të bardhë me para në vlerë prej 1.700 eurosh, një iPad të tipit “Apple”, një laptop të tipit “Pecard Bell”, dy telefona të tipit “Redmi”, disa kabllo dhe pajisje të vogla elektrike, një palë syze “Carrera” dhe disa palë syze të tjera, dy orë dore, bizhuteri, disa para-dinarë, një çantë udhëtimi dhe një çantë laptopi, me çka të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm material.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, Blerina Kurtaj, pas mbajtjes së seancës dëgjimore ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit.
Me këtë vendim, i pandehurit RR.H., do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një (1) muaji, periudhë kjo që do të llogaritet nga data e arrestimit me 12 tetor 2026 deri më 11 nëntor 2026.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.