Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Konstituohet Bordi i korporatës për ruajtjen e energjisë, synohet zvogëlimi i importit

Gazeta10
14 October 2026 - 16:27

Kosova do të ketë një ndërmarrje të re publike për ruajtjen e energjisë elektrike, e cila do të mundësojë grumbullimin e tepricave të energjisë dhe shfrytëzimin e tyre në periudhat kur kërkesa është më e lartë. Korporata për Ruajtjen e Energjisë (KRE Sh.A.) do të ketë në pronësi dhe do të operojë sistemin e baterive në Istog, me fuqi prej 125 megavatësh. Ministria e Ekonomisë ka mbajtur takimin e parë konstituiv të Bordit të Korporatës për Ruajtjen e Energjisë të mërkurën, ku morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, si dhe përfaqësues të institucioneve të përfshira në realizimin e projektit.

Kryeministri Albin Kurti tha se themelimi i kësaj korporate i shton sistemit energjetik të Kosovës një kapacitet që deri më tani i ka munguar, duke theksuar se investimi do të ndikojë edhe në zvogëlimin e nevojës për import të energjisë elektrike.

“Në këtë ndërmarrje të re publike, po i shtojmë sistemit tonë energjetik një aftësi e cila i ka munguar.. KRE është 100 përqind në pronësi të Kosovës, është pasuri e përbashkët e qytetarëve tanë. Pasurinë publike e mbrojmë duke e mirë menaxhuar dhe duke e shtuar, ndërmarrjet tona publike duhet të jenë të suksesshme, të krijojnë vlera ekonomike dhe këtë vlerë ta vënë në shërbim të mirëqenies së qytetarëve. Programi kompakt ka vlerën prej 236.7 milionë dollarë, me ç’rast 202 milion dollarë janë në grand nga SHBA dhe 34.7 milion janë kontribut nga Qeveria e Republikës. KRE do të ketë pronësi dhe do të operojë bateritë në Istog, me fuqi prej 125 megavat. Bashkë me sistemin prej 90 megavatorësh të KOSTT-it në Ferizaj, vendi ynë do të ketë 340 megavat orë kapacitet të ri në ruajtjen e energjisë. Kështu zvogëlojmë nevojën për importe”, tha Kurti.
Ndërkaq, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, bëri të ditur se dy kompani amerikane kanë dorëzuar oferta për projektimin dhe ndërtimin e sistemit të baterive. Sipas saj, punimet planifikohet të nisin vitin e ardhshëm dhe të përfundojnë në vitin 2028.

Ajo theksoi se, përveç investimit në infrastrukturë, projekti synon të krijojë edhe kapacitete profesionale për menaxhimin e teknologjisë së ruajtjes së energjisë.

“Kur kemi nisur punën për programin kompakt kemi synuar që ky investim t’i shërbej Kosovës për shumë më gjatë sesa vet programi. Bashkë me bateritë, vendi duhej të fitonte edhe dijen e aftësinë për t’i menaxhuar ato, e për t’i zhvilluar ndërmarrja e tregu i energjisë edhe më tej. Projektin e baterive e kemi përgatitur së bashku me MCC, qeverinë amerikane.. Mungesa e fleksibilitetit është një sfidë për Kosovën, prandaj kompania për ruajtjen e energjisë KRE do të ndihmoj që të optimizojmë shfrytëzimin e energjisë elektrike, ashtu duke ruajtur tepricat e energjisë kur kemi, për kur kemi më së shumti nevojë. Dy kompani amerikane kanë paraqitur oferta për projektimin dhe ndërtimin e sistemit të baterive, gjë që planifikohet të filloj vitin e ardhshëm dhe të përfundojë në 2028”, tha Rizvanolli.
Drejtori i Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC), Rinor Gjonbalaj, tha se konstituimi i bordit shënon fillimin e një faze të re, gjatë së cilës fokusi duhet të jetë ndërtimi i një ndërmarrjeje publike profesionale dhe financiarisht të qëndrueshme.

Ndërsa drejtoresha ekzekutive e MCA Kosova, Florina Duli-Sefaj, theksoi se bordi i ri do të ketë përgjegjësinë e ndërtimit të strukturave dhe kapaciteteve të nevojshme për funksionimin e korporatës.

Projekti për ruajtjen e energjisë është pjesë e Programit Kompakt, me vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, nga të cilat 202 milionë dollarë janë grant nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 34.7 milionë dollarë kontribut i Qeverisë së Kosovës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.