Ballkani do të përballet të enjten e kësaj jave (nesër) me Astanan në kuadër të rrethit të tretë në Ligën e Konferencës.
Ndeshja që fillon në ora 18:45, do të luhet në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Para këtij takimi, trajneri Ilir Daja ka thënë se ata janë me këmbë në tokë për këtë sfidë, por që ndeshjet si vendas u ndihmojnë më shumë.
“Gjendja e skuadrës? 90 për qind janë të gatshëm. Me stërvitje të diferencuar kemi Hamitin, të cilin do e kemi në bankinë nesër. Nuk do të luajë si titullar. Kemi edhe Ismajlgecin, i cili ka bërë stërvitje të diferencuar. Pjesa tjetër e grupit është në dispozicion”, ka thënë fillimisht strategu i skuadrës nga Suhareka në konferencë për media.
“Ndeshja? Duhet të jemi me këmbë në tokë. Astana ka mbi 90 takime në Evropë. Ka marrë pjesë edhe në grupet e Ligës së Kampionëve. Pas një fitoreje historike ndaj Dinamos së Zagrebit, nuk është e mundur të ndryshojmë objektivat. Do i marrim ndeshjet hap pas hapi. Do të fokusohemi tek Astana. Një ndeshje shumë e vështirë, por nuk do të ndryshojmë asgjë nga ato që kemi bërë deri sot”.
“Do të japim gjithë energjinë tonë, për të përfaqësuar sa më mirë Ballkanin dhe kampionatin e Kosovës. Po kalojmë një periudhë goxha të mirë, në kampionat dhe Europë. Besoj që është një përjetim i madh në karrierën time si trajner. Ka një gjë të mirë ky përjetim, sepse ndodh javë për javë. Jemi prezantuar mirë në të dyja kahet. Entuziazmi është në nivele optimale. Ta mbajmë sa më gjatë të jetë e mundur, duke pasur edhe fatin me vete”.
“Keni dëgjuar për skandalin e basteve në Itali. A keni diskutuar me futbollistët për këtë fenomen? Jam në dijeni të këtij skandali, por ne si skuadër kemi vetëm fitore dhe nuk ka rrezik për këtë. Zakonisht luajnë për humbjen e skuadrës dhe ne kemi vetëm fitore. Është një fenomen botëror, por mua nuk më ka shkuar ndërmend të bëj biseda të tilla me lojtarët, pasi drejtoj një grup profesionistësh dhe kam besim maksimal te ata. Në fillim të çdo sezoni vijnë njerëz nga klubi dhe federata, të cilët u shpjegojnë lojtarëve çfarë lejohet dhe jo, dhe jemi mjaftuar vetëm me këtë hap”.
“Në kampionat kemi një kontingjent më të madh në dispozicion dhe me afrimin e 2-3 lojtarëve të tjerë që po kapin formën e tyre më ët mirë, besoj që e kemi skuadrën e duhur për të të respektuar të dy kompeticionet. Kalendari nuk është aq i ngjeshur sa vitin e kaluar, kur luhej me intensitet për shkak të Botërorit. Kemi bërë edhe rotacion shpesh, për të shmangur lodhjen dhe dëmtimet, pasi këto të fundit të reduktojnë grupin dhe vështirësojnë punën”, ka potencuar më tej Daja.