
Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Avni Spahiu, thotë se qarqet diplomatike dhe politike në ShBA dhe Bashkim Evropian janë optimiste se brenda vitit të ardhshëm do të ketë një marrëveshje finale, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo, ai thekson se Qeveria e Kosovës nuk duhet të pranojë asnjë zgjidhje gjysmake që nuk garanton normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke, transmeton Gazeta10.
Diplomati kosovar thotë për KosovaPress se në situatën aktuale gjeopolitike, bashkësia ndërkombëtare po kërkon rezultat konkret në dialog. Megjithatë, shton se në rend të parë të diskutimit është edhe përcaktimi i Serbisë në krah të Rusisë.
“Në këtë situatë bashkësia ndërkombëtare kërkon të ketë një rezultat, duke u përcaktuar si duket në mundësinë e kalimit të një marrëveshje që do të obligonte të dy palët dhe do të sillte deri te normalizimi dhe njohja e ndërsjellë. Në këtë moment kjo është larg të shihet, por qarqet diplomatike dhe politike në ShBA dhe Evropë mendojnë se kjo mund të arrihet vitin e ardhshëm… Në rend të parë të diskutimit për rajonin është përcaktimi i Serbisë, krahas Rusisë. Kjo është shqetësimi më i madh i bashkësisë ndërkombëtare…Serbia në këtë situatë jo vetëm që s’ka vullnet për të bërë një kthesë drejt një pajtimi rajonal, por po synon të destabilizojë paqen dhe bashkëpunimin në Ballkan, sidomos në raport me Kosovën dhe subjektivitetit të saj”, thotë ai.
Sa i përketë liberalizimit të vizave, ai thotë se është lajm i mirë që BE-ja po lëvizë në këtë drejtim, mirëpo procedura për liberalizimin e vizave në tërësi merr tre deri në gjashtë muaj kohë.
“Ky proces, sikur në rastin e shteteve të tjera që ju kanë hequr vizat, edhe në këtë rast do të kërkohet një periudhë prej tre deri në gjashtë muaj. Pasi ka procedura që duhet të ndjekur. Kjo çështje tani paraqitet në Këshillin e BE-së, komisionet dhe pastaj në parlament në Strasburg. Kërkohet votimi, pastaj ju dërgohet vendeve anëtare, ministrive dhe në fund mbetet nënshkrimi nga vet vendet anëtare, prandaj kjo merr kohë. Por mendoj se është një lajm i mirë që BE-ja po lëvizë në atë drejtim dhe shpresoj se nga pranvera të kemi liberalizimin e vizave”, thotë ai.