Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Ish-kandidati i VV-së për deputet, merr përkohësisht pozitën e guvernatorit në BQK

Gazeta10
29 March 2023 - 16:34

Për shkak të përfundimit të mandatit të guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës dhe mungesës së zëvendës guvernatorëve, bordi i BQK-së ka mbajtur një mbledhje dhe kanë vendosur që kryetari i bordit Bashkim Nurboja të marrë përkohësisht detyrën e guverantorit.

Kjo është bërë e ditur përmes një kumtesë për media që BQK-ja e ka lëshuar sot, raporton Gazeta10.

“Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 29 mars 2023, mori vendimin si në vijim: Duke marrë parasysh rrethanat e krijuara si rezultat i përfundimit të mandatit të Guvernatorit të Bankës Qendrore, si dhe në mungesë të Zëvendësguvernatorëve me mandat të plotë (për shkak të përfundimit të mandatit), Bordi i Bankës Qendrore në mbledhjen e mbajtur më 29 mars 2023, në pajtim me nenin 46 të Ligjit nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, mori vendim që posti i Guvernatorit të merret përkohësisht nga Kryetari i Bordit të Bankës Qendrore, ndërsa dy (2) anëtarët joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore, do të marrin përkohësisht postet e Zëvendësguvernatorëve”, thuhet në komunikatë.

Nurboja ka qenë kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 si dhe kandidat për kryetar të Pejës nga kjo parti në zgjedhjet komunale të vitit 2017.

Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës kishte zgjedhur, Bashkim Nurbojën për kryetar në shkurt të këtij viti./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.