Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

“Ishte akt terrorist dhe atentat ndaj fjalës së lirë”-  Top Channel reagon pas sulmit ndaj tyre

Gazeta10
27 March 2023 - 12:32

Top Channel ka lëshuar një deklaratë pas tragjedisë së mbrëmshme, ku selia e televizionit u sulmua mbrëmë me armë zjarri, ku si pasojë mbeti i vrarë roja i objektit, shkruan Gazeta10.

Televizioni TCH, iu është referuar këtij sulmi si një akt terrorist duke thënë se për qëllim ka goditjen e lirisë së medias dhe fuqisë së fjalës së lirë.

“Po ashtu, Top Channel shpreh qartësinë që ky akt terrorist i paprecedent, është kryer për të dëmtuar e goditur misionin e medias së lirë dhe fuqisë së fjalës së lirë. Top Channel, është themeluar, krijuar me frymën e njeriut që ndërtoi jo vetëm idenë e një media shqiptare me vlera perëndimore, por dhe mbi të gjitha e një media që përfaqësohet nga grupi i madh i  profesionistëve të shquar, figurave publike dhe intelektuale, që çdo ditë ne një transmetim të pandalshëm televiziv e jo vetëm, i shërbejnë publikut me dedikim të plotë.”, thuhet në njoftimin e tyre.

Tutje, në komunikatën e tyre ata i kanë shprehur ngushëllime familjarëve të rojës së vdekur, raporton Gazeta10.

“Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, e hënë 27 mars 2023, Top Channel është goditur nga një sulm terrorist, i pandodhur kurrë më parë në 32 vite ndërtim të shtetit të së drejtës dhe fjalës së lirë. Pasojë e këtij sulmi ishte humbja e jetës së punonjësit të sigurisë, Pal Kola, i cili i ka qenë në krye të detyrës, pjesë e stafit të shoqërisë së sigurisë “Öktapus”. Në orën 00.40, i ndjeri Pal Kola është gjendur në qendër të breshërisë me 25 plumba në drejtim të godinës së Top Channel. Humbja e jetës së familjarit, të babait e bashkëshortit Pal Kola në krye të detyrës, është tronditja dhe goditja më e madhe për Top Channel. Ngushëllojmë me hidhërim të thellë familjen Kola, duke qëndruar pranë tyre në përballimin e kësaj fatkeqësie.”, thuhet në shkrimin e tyre.

Tutje ata kanë kërkuar që të zbardhet rasti sepse sipas tyre përveç se ka mbetur i vdekur një person kjo nënkupton edhe direkt atentat ndaj televizionit.

“Zbardhja e këtij akti duhet të jetë prioritet për organet ligjzbatuese, sepse është vrarë një punonjës i Top Channel, por gjithashtu është atentat ndaj televizionit që ka shërbyer në transparencë e mbështetjen e të drejtës duke kontribuar me informacion e ndërgjegjësim dhe fuqizim të institucioneve të së drejtës  për shoqërinë shqiptare.”, thuhet në reagimin e tyre.

Poashtu ata thonë se ky sulm ka lidhje vetëm me misionin e Top Channel sepse asnjëherë më parë gazetarët e kësaj medie nuk janë sulmuar./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.