Ish-zyrtarja, Alda Klosi është dënuar me dy vite e gjashtë muaj burg nga Gjykata e Tiranës, pasi në banesën e pastrueses së saj u gjet një shumë parash prej 500 mijë eurosh, të cilat nuk i justifikonte me burime të ligjshme.
Gjykata po ashtu dënoi me 7 vite burg, pastruesen Rozeta Dobi dhe me 5 vite djalin e saj, Havier Dobi.
Ngjarja u zbulua në janar 2023 duke çuar në arrestimin e sanitares Dobi, djalit të saj Havier dhe më pas vetë ish zyrtares Alda Klosi.
Në seancën gjyqësore që u mbajt në gjykatën e Tiranës Rozeta Dobi shprehu pendesë për atë që ka ndodhur.
“Kërkoj mëshirë, kërkoj falje. Shumën e parave mi dha Alda Klosi për ti mbajtur disa kohë në shtëpinë time më pas tia ktheja. Kam punuar gjithë jetën me punë të ndershme jo të bëj vjedhje. Klosi më tha mbaj lekët, se donte të fajësonte bashkëshortin për vjedhje”.
Vetë Alda Klosi nuk ishte e pranishme por u mbrojt nga avokati i cili kërkoi pafajësi sepse e pandehura Alda Klosi është kryefamiljare, ka një vajze dhe një djalë të mitur dhe po ashtu ka probleme shëndetësore Gjithashtu kërkoi që dënimi të jetë i njëjtë me kohën e qëndrimit në paraburgim
Edhe avokati mbrojtës i Dobit kërkoi që të pezullohet dënimi me burg pasi gruaja ka djalin për tu kujdesur pasi i ka vdekur bashkëshorti.
“Ne jemi treguar bashkëpunues dhe jemi arsyeja pse u zbulua e gjithë ngjarja. Të merret parasysh. Ata kanë edhe një faktkeqësi. Ka ndërruar jetë bashkëshorti i Rozeta Dobit dhe ajo duhet të kujdeset për djalin. Kërkojmë dënimin në minimum dhe pezullim të dënimit me burg. Ajo do të jetë e gatshme të bashkëpunojë me drejtesinë. Ndihet e penduar per atë që ka bërë. Ne kerkojmë që çdo pasuri e deklaruar para datës së vjedhur ti kthehen Rozeta Dobit” tha avokati
Ndërkohë prokuroria thotë se pretendimet e Rozeta Dobit që paratë i janë dhënë nga Alda Klosi për ti mbajtur bien poshtë për shkak të veprimeve dhe sjelljeve të saj në ditën e ngjarjes.