
E ftuar në emisionin “PrimeVerë” në Kanal 10, Diola Dosti ka ndarë me publikun një mesazh për rëndësinë e dashurisë, mirësisë dhe vlerave familjare.
Diola u shpreh se ndihet e bekuar që në jetën e saj ka njerëz që e meritojnë fjalën “njeri”, duke theksuar se ky është një nga titujt më të mëdhenj që mund të ketë dikush.
“Është titulli më i lartë që mund të mbajë dikush. Mund të jesh çkado në profesion, por nëse nuk je njeri, çdo titull të bie në ujë”, u shpreh ajo.
Ajo tregoi se shpesh bashkëshorti i saj, Erolldi, e këshillon të mos publikojë çdo gjë në rrjete sociale dhe të mos ndjejë nevojën për t’ia treguar botës çdo moment, por sipas Diolës, shoqëria ka nevojë të shohë edhe shembuj pozitivë.
“Bota ka shumë nevojë të shohë dashuri, sepse kemi aq shumë lajme të këqija – divorce, luftëra dhe shumë ngjarje që sjellin negativitet. Ne kemi nevojë për gjëra të bukura”, tha Diola.
Ajo theksoi se mesazhet e dashurisë dhe familjes duhet të përcillen më shumë, sidomos për shqiptarët kudo që jetojnë, duke nënvizuar se familja mbetet baza kryesore e shoqërisë.