
Mënyra e lojës së tij, pasimet e gjata të sakta, pozicionimi perfekt në fushë e golat vendimtar po bëjnë që e gjithë bota e futbollit të flet dhe të mahnitet nga ai.
Fjala është për Jude Bellingham, fenomenin 20-vjeçar, i cili po ‘shkëlqen’ në majet e futbollit evropian.
I lindur më 29 qershor 2003 në Stourbridge të Anglisë, Bellingham që nga fëmijëria e tij u dallua për potencialin që posedonte si futbolllist.
Jude i bashkohej ekipit të U8 të Birmingham, për t’u bërë mandej lojtari më i ri që debuton me fanelën e këtij klubi.
Ai luajti për ekipin U18 të këtij klubi si 14-vjeçar, gjersa për ekipin U23 luante si 15-vjeçar.
Pasi pranoi njl bursë dy-vjeçare nga Birmingham City, Jude iu bashkua ekipit të parë gjatë verës së 2019-ës në fazën përgatitore në Portugali, duke lënë mbresa në ndeshjet miqësore.
Ishte gushti i vitit 2019, atë ditë kur Bellingham si 16-vjeçar nisi rrugëtimin e tij, i cili pas disa vitesh do të ishte përrallor për të.
Pasi luajti pothuajse gjithë sezonin 2019/2020, Bellingham ra në sy të plotë ekipeve evropiane, mirëpo ai talentin e tij ia besoi Borussia Dortmund. Pas largimit, në shenjë respekti për të dhe kontributin e tij, Birmingham pensionoi numrin e tij, numrin 22.
Në korrik të 2020-ës, Dortmund nënshkroi me talentin anglez, gjersa në paraqitjen e tij të parë, Bellingham u bë golashënuesi më i ri i këtij ekipi.
Me “verdhezinjtë” nga Gjermania, Jude u paraqit në 132 ndeshje, në të cilat arriti të fitojë DFB Pokal në sezonin e tij të parë (2020/21).
Pas tre vitesh të kaluara në tokën gjermane, si 19-vjeçar, Bellingham u ‘vërshua’ përsëri nga ofertat, me anglezin që duhej të zgjedhte mes Premier League (Liverpool) dhe klubit të ëndrrave të tij, Real Madrid.
E zgjedhja në fund ishte e lehtë sipas tij, pasi kur Real Madridi ‘troket’ në derë, nuk mund ta refuzosh. Deri më tash, kjo zgjedhje i ka dalë më së miri, pasi në gjashtë ndeshjet e para zyrtare me klubin e Real Madrid, ai ka arritur të shënojë gjashtë gola e të dhurojë një asistim.
Përveç futbollit me klube, Bellingham ka treguar paraqitje të mëdha edhe me kombëtaren e Anglisë. Me “Tre Luanët”, Bellingham ka 26 paraqitje, duke arritur të shënojë 2 gola.
Gjatë tërë karrierës së tij, në 183 paraqitje, Bellingham ka shënuar 34 gola e ka dhuruar 28 asistime. /Gazeta10/