Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Jusuf Azemi: Deputetët po mendojnë vetëm për para e pushtet, ndërsa punëtorët e privatit po përballen me varfëri e vdekje në punë

Gazeta10
21 May 2026 - 19:03

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi në Gazeta ka akuzuar institucionet shtetërore për neglizhencë ndaj gjendjes së rëndë të punëtorëve në Kosovë, duke theksuar se vdekjet në vendet e punës dhe kushtet sociale të punëtorëve nuk po trajtohen seriozisht.

Azemi deklaroi se Sindikata do të vazhdojë të flasë për realitetin që, sipas tij, shihet çdo ditë në terren.

“Ne gjithmonë do të flasim për ato që i shohim në terren. Për këto që po i themi ne, edhe kryeinspektori, edhe kryeministri, edhe ministri i Punës, të gjithë i kanë në tavolinat e tyre”, tha ai.

Sipas Azemit, pavarësisht problemeve të mëdha me të cilat përballen punëtorët e sektorit privat, politikanët vazhdojnë të kërkojnë mbështetjen e tyre vetëm në kohë zgjedhjesh.

“Këta njerëz dalin edhe nesër para punëtorëve të sektorit privat dhe kërkojnë mbështetjen e tyre, që të vijnë në parlament me premtimin se do t’i mbrojnë të drejtat e tyre”, deklaroi ai.

Ai kritikoi deputetët dhe institucionet për mungesën e reagimit ndaj rasteve të vdekjeve në vendet e punës dhe për heshtjen ndaj gjendjes sociale të punëtorëve.

“Në periudhën e fundit asnjëherë nuk është folur për këtë çështje, as për rastet e vdekjeve e as për gjendjen e rëndë sociale të punëtorëve të sektorit privat të Kosovës”, u shpreh Azemi.

Tutje, ai akuzoi klasën politike se fokusi kryesor ka qenë vetëm sigurimi i ulëseve në Kuvend.

“Gjithë luftën e kanë bërë se si të shkojnë në parlament, ndërsa ju e dini se së paku për një vit e gjysmë çfarë detyrash kanë kryer deputetët e Parlamentit të Kosovës”, përfundoi Azemi.

Deklarata e plotë: https://youtu.be/4Ig-ArldGy8

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.