
Ballkani gaboi në tentim për të bërë një hap para në misionin e tij, kalimin e fazës së grupeve në Ligën e Konferencës.
Kampioni i Kosovës në fuqi humbi 0:1 nga Viktoria Plzen, në xhiron e pestë të fazës së grupeve, e zhvilluar të enjten (sot) në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Disfata në kryeqendrën shqiptare ia vështirëson dukshëm Ballkanit rrugën për kualifikim në fazën e “nokautit” në kompeticionin e tretë madhor të UEFA-s.
Portokallezinjtë në xhiron e fundit udhëtojnë në Kroaci për t’u takuar me Dinamo Zagrebin, kundërshtarin direkt për pozitën e dytë që dërgon tutje. Dinamo Zagreb ka gjashtë pikë në pozitën e dytë, dy më shumë se Ballkani i fundit dhe Astana e treta.
Por, cila është rruga që dërgon Ballkanin në fazën tjetër të Ligës së Konferencës?
Dy herë kampionët e Kosovës duhet të fitojnë patjetër në “Maksimir” kundër Dinamo Zagrebit dhe të shpresojnë në fitoren e Viktoria Plzen në Çeki kundër Astanas.
Kujtojmë se Ballkani e mposhti 2:0 Dinamo Zagrebin në ndeshjen e parë të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ndeshjet e xhiros së fundit në fazën e grupeve zhvillohen më 14 dhjetor të këtij viti.
Ky është edicioni i dytë me radhë për skuadrën suharekase në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës. Në edicionin paraprak, ata nuk arritën të kualifikohen më tutje.