
Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Hykmete Bajrami, njofton se ka bërë Kallëzim Penal, duke kërkuar të hetohet KMDK-ja, Ministria, Qeveria dhe të gjitha institucionet përgjegjëse, derisa po replikojnë nga distanca me ministren e Mjedisit në detyrë, Fitore Pacolli, për deponinë e Sferkës.
Bajrami për këtë çështje ka shkruar:
Ministre në detyrë, mos u frikëso, qetësohu, lexoje mirë njoftimin tim për Kallëzimin Penal! Kam kërkuar të hetohet KMDK-ja, Ministria, Qeveria dhe të gjitha institucionet përgjegjëse. TË GJITHAAAAAAA!
Zonja ministre në detyrë, mos u nervozo. A e di sa kohë jeni në pushtet? Gjashtë vjet. Me gjasë, pikërisht kjo kohë dhe mungesa e rezultateve po të bëjnë nervoz.
Qetësohu dhe dil e puno diçka.
Shiheni në foto planin e biznesit të KMDK-së. Unë kurrë nuk shpif. Nuk shkruaj dhe nuk reagoj pa u bindur më parë me fakte. Në DOKUMENTIN publik të KMDK-së, keni paraparë që këtë vit, pra 2026, nga JANARI deri në QERSHOR, të bëni rehabilitimin e komplet deponisë së Pejës, pra Sferkës, si dhe deponive tjera.
Dhe, s’keni bërë asgjë. Prandaj, reagoni me nervozë dhe çuditshëm!
Për temat partiake flasim një herë tjetër.
Ministre në detyrë, nëse vetë keni konstatuar se kjo deponi nuk i plotëson standardet mjedisore për shkak të mosrespektimit të standardeve, atëherë pyetja është e qartë: pse nuk janë ndërmarrë masat për ndalimin e funksionimit të saj dhe pse gjithçka është kufizuar vetëm në shqiptimin e një gjobe?
Nëse nuk janë respektuar standardet, atëherë është dashur të mbyllet. Kushdo që nuk e ka mbyllur, e ka vendin në BURG. PIKË!
Ju vetë thoni se KMDK-ja ka qenë në Sferkë. Atëherë ku ishte Ministria? Ku ishin mekanizmat e saj? Ku ishin masat urgjente për ta parandaluar dhe menaxhuar këtë krizë?
Me reagimin tuaj vetëm sa e forcuat atë që kam thënë që në fillim: institucionet përgjegjëse kanë dështuar në përmbushjen e detyrës së tyre për mbrojtjen e mjedisit.
Sa për rikujtim, Ministre në detyrë: Ministria që drejtoni është Ministria e Mjedisit. Përgjegjësi e saj është mbrojtja e ajrit, tokës, ujit dhe natyrës.
Qytetarët nuk po shohin reagim nga institucionet, nuk po shohin veprime konkrete dhe masa efektive për ta ndalur këtë situatë.
Ministre në detyrë, a e dini sa qytetarë kanë qenë të ekspozuar ndaj këtij tymi? A e dini çfarë pasojash mund të ketë kjo për shëndetin e njerëzve, për bujqësinë, për kafshët dhe për mjedisin?
Kallëzimit penal i qëndroj plotësisht prapa. Uroj që Prokuroria të hetojë deri në fund çdo veprim dhe çdo mosveprim. Nëse hetimet provojnë se ka pasur moskryerje të detyrës zyrtare, keqpërdorim të pozitës apo përgjegjësi të tjera penale, atëherë kushdo që mban përgjegjësi duhet të përballet me drejtësinë dhe me pasojat që i parasheh ligji.
Ndërsa, ministrja e Mjedisit në detyrë, Fitore Pacolli ka shkruar:
Hykmete!
Nuk e kuptoj nga po të vjen gjithë ky guxim?! Prapë paske gënjyer se Deponia e Sferkës është nën menaxhimin e KMDK-së.
Seriozisht, kjo është për t’u brengosur! Madje, paske dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj Qeverisë.
Rënia e vazhdueshme e fuqisë suaj politike në këto vitet e fundit ju ka bërë të mos shihni as para syve tuaj. Mbase edhe ky diell i rëndë ndikon; ashtu siç ndez zjarre në deponi të pamenaxhuara mirë, ndez zjarre edhe në fraksione të pamenaxhuara mirë.
Megjithatë, mbase ke bërë mirë që dorëzuat kallëzim penal. Por shpresoj Prokuroria fillon një hetim dhe ndoshta avokatët tuaj (se ti jo se jo), kur të thirresh si dëshmitare, më në fund ta ngulisin në kokë statusin e Deponisë së Sferkës!
Unë e di që ti, e rreshtuar në njërën nga këto fraksionet që po ju krijohen, të ka rënë fati i keq të jesh në rresht me Gazin (Muhaxherin), i cili ka shumicën e aksioneve të Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Ambienti”. Por, duhet ta dish se Gazi nuk mbrohet me bllofe, sepse rrena i ka këmbët e shkurtra.
Sa për ta ditur, meqë është e qartë se je shumë e zënë duke shpërndarë gënjeshtra: KMDK nuk e menaxhon Deponinë e Sferkës. Atë e menaxhojnë njerëzit e Gazit, të cilin po mundohesh ta mbrosh duke u bërë centrifuga e përgjegjësisë së tij.
Një gjë që ti thua është e vërtetë: Deponia e Sferkës nuk është trajtuar në bazë të standardeve, edhe përkundër faktit se KMDK e ka këshilluar kompaninë e Gazit për ndarjen e shtresave të mbeturinave me dhe apo materiale të tjera që nuk digjen.
Ama, është kjo nonshalanca që ju përcjell juve në çdo nivel dhe që nuk respekton asnjë standard, gjë që po shihet edhe në këto dy reagimet e tua.
Ju, Hykmete, sikurse LDK nuk dini çfarë është përgjegjësia, sepse karriera juaj është e mbështetur në viktimizim. Ju, pra, nuk i kryeni punët, sepse keni krijuar një alternativë ndaj punës: viktimizimin.
Gjithmonë ju ndodh kështu; edhe kur pësoni debakël politik kudo, dilni para opinionit për t’u viktimizuar, me shpresën që do të vazhdojë t’ju besojë dikush. Prandaj, Hykmete, jeni këtu ku jeni si subjekt politik, sepse mund të gënjesh dikë për një kohë, por nuk mund t’i gënjeni të gjithë, përherë.
Edhe një herë, po shpresoj fort që Prokuroria do ta ndjekë çështjen e Deponisë së Sferkës, e cila s’ka se si të mos të çojë në adresën e vetme që ka përgjegjësinë për këtë situatë: në LDK!
Pastaj, të ulemi së bashku e t’i hapim letrat, të shohim kush dhe pse gënjeu, për çfarë motivesh, por, çfarë është më e rëndësishmja, të shohim se kush është përgjegjës për këtë katastrofë ekologjike!
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka bërë atë që i takon për këtë situatë: Inspektorati ka shqiptuar dënim në shumën prej 5000 eurosh për KRM “Ambienti”, pikërisht për shkak të mosrespektimit të standardeve.
Në anën tjetër, KMDK-ja ka shkuar për ta asistuar kompaninë e Gazit, dhe e di si ka qenë situata, Hykmete!? Askush nga zyrtarët apo punëtorët e Gazit s’ka qenë në terren, qoftë edhe sa për ta monitoruar situatën! Sepse ju nuk punoni, Hykmete, veç viktimizoheni!