Lajme

KDI kërkon nga Kurti raport gjithpërfshirës mbi ecurinë e procesit të dialogut

Gazeta10
23 Gusht 2022 - 20:27

Raporti: Arteida Molliqaj

Përmes raportit të publikuar “Një hap para, tre hapa prapa”, Instituti Demokratik i Kosovës ka adresuar kritika ndaj ekzekutivit kosovar në lidhje me dialogun Kosovë- Serbi. Sipas KDI-së, kryeministri Kurti ka treguar mostransparencë sa i përket raportimeve për takimet e zhvilluara në kuadër të dialogut me Serbinë. Nga ky institut kanë kërkuar nga ekzekutivi një raport gjithpërfshirës mbi zbatimin e marrveshjeve të arritura më herët, shkruan Kanal10.

Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar raportin “Dialogu Kosovë-Serbi, Një hap para, tre hapa prapa”, përmes të cilit ka adresuar edhe kritika ndaj ekzekutivit kosovar në lidhje me këtë proces.

Menaxherja e projektit në KDI, Violeta Haxholli ka thënë për Kanal10 se që nga qershori i vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës nuk ka dalë me raport mbi ecurinë e procesit të dialogut, derisa ka kërkuar nga ekzekutivi një raport gjithpërfshirës mbi zbatimin e marrveshjeve të arritura më herët.

Haxholli ndër të tjera ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka treguar mostransparencë sa i përket raportimeve për dialogun, duke shtuar se i njëjti vetëm një herë ka raportuar me vet-iniciaticë.

Në raportin e publikuar nga KDI, ndër të tjera thuhet se konsensusi politik mes partive opozitare dhe Qeverisë, është i domosdoshëm në procesin e dialogut.

Derisa, sipas Haxhollit, Kosova dhe Serbia duhet të bisedojnë mbi një marrëveshje të mundshme finale, pasi sipas saj, diskutimet mes të dyja palëve janë për marrëveshjet e kaluara.

KDI ka ritheksuar edhe nevojën që Qeveria e Kosovës të zhvillojë dialog të brendshëm me qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, pasi sipas tyre, vendimet e fundit të qeverisë prekin më shumë ata. /Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.