Lajme

KEK: Operimi i termocentraleve vazhdon normalisht, menaxhimi i furnizimit me rrymë stabil – kemi siguruar 150 MW nga KESH

Gazeta10
30 Nëntor 2024 - 15:02

Korporata Energjetike e Kosovës ka thënë se operimi i termocentraleve po vazhdon normalisht dhe menaxhimi i furnizimit me energji elektrike është stabil dhe i qëndrueshëm, përkundër sulmit të mbëmshën në kanalin e Ibër Lepencit.

Përmes një njoftimi drejtuar mediave, KEK ka thënë se po vazhdon të operojë me dy njësi të TC Kosova B dhe dy njësi të TC Kosova A, të cilat nuk janë prekur nga mungesa e ujit nga kanali.

Po ashtu, në rast nevoje, KEK ka siguruar kapacitetin prej 150 MW nga KESH, i cili do të shfrytëzohet për të mbështetur furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se po vazhdon angazhimi për normalizimin e gjendjes.

“Korporata Energjetike e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, po vazhdon angazhimet për normalizimin e gjendjes, duke përfshirë edhe institucionet e tjera përkatëse. Të gjitha palët janë të angazhuara në koordinim të ngushtë dhe po punojnë pa ndërprerje për të minimizuar ndikimet dhe për të siguruar furnizimin e qëndrueshëm me ujë për TC Kosova B dhe me energji elektrike për qytetarët dhe sektorët e tjerë të rëndësishëm”, thuhet në njoftim.

KEK ka treguar edhe veprimet që janë ndërmarrë pas sulmit të mbrëmshëm në kanalin e ujit të Ibër Lepencit:

-KEK, Ministria e Ekonomisë (ME), dhe Njësita për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike (NJPMNP) janë takuar për të analizuar situatën e furnizimit me ujë për operimin e termocentralit dhe për të garantuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike.


-Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME), KRU Prishtina (në koordinim me të gjitha KRU-të), janë mobilizuar me pajisje si autobote (cisternat e ujit) për të siguruar furnizimin e termocentralit me ujë në rast nevoje dhe për të garantuar rezervat e nevojshme të ujit.


-Po vazhdon koordinimi i ngushtë me zyrtarët e Iber Lepencit për mbarëvajtjen e sanimeve dhe riparimeve.


-KRU Prishtina kanë njoftuar se kapacitetet e destinuara nga ky kanal për Mitrovicën dhe Prishtinën mund të sigurohen nga burime të tjera, duke na siguruar që kapaciteti prej Iber Lepenci do të shfrytëzohet vetëm nga KEK.


-Iber Lepenci ka vendosur gjashtë gypa (me diameter 900mm) që mund të furnizojnë sasinë e nevojshme për funksionimin normal të dy njësive të TC Kosova B.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.