
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kërkesa e të dërguarit special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për shtyerjen e vendimit për riregjistrimin e targave nënkupton një tolerim të bandave kriminale, raporton Gazeta10.
Osmani ka thënë se ata që nuk po i konvertojnë targat në RKS janë të kërcënuar nga bandat kriminale që paguhen nga Vuçiq.
Osmani ka thënë se kjo çështje i takon sundimit të ligjit dhe nuk është kundër serbëve.
“Ajo që e kam thënë në takim me Escobar është se kjo në esencë është çështje e sundimit të ligjit. Mbi 90 përqind e serbëve i kanë targat në RKS, ata e respektojmë ligjin dhe parimin e barazisë. Por, ekziston një grup i vogël i serbëve që akoma nuk e ka bërë këtë ndryshim, për arsyen e vetme sepse kërcënohen nga bandat kriminale që paguhen nga Aleksandër Vuçiq. Dhe tani shtyrja e vazhdueshme në njëfarë mënyre nënkupton që po tolerohen këto kërcënime të bandave kriminale në raport me serbët lokalë. Prandaj, kjo mbi të gjitha është çështje e sundimit të ligjit, nuk është assesi kundër serbëve. Është një çështje që ka të bëjë me mbrojtjen e tyre nga këto banda kriminale”, ka thënë Osmani. / Gazeta10