
Tema e të drejtave të serbëve në Kosovë, madje edhe kërkesa për një vetëqeverisje me kompetenca edhe më të zgjeruara në opinionin publik po shihet si diçka problematik sa i përketë përputhjes me legjislacionin e Kosovës, shkruan Gazeta10.
Egzon Osmanaj nga Frederich Ebert Stiftung, kërkesën e serbëve për një Asociacion e ka parë si një mekanizëm për ndërhyrje nga Serbia, sepse sipas tij serbët e Kosovës i kanë të gjitha të drejtat që po kërkohen përmes Asociacionit.
“Sepse çfarëdo lloj drejte që dëshirojmë t’ua japim përmes Asociacionit, ata veç i kanë tanimë. Psh nëse i shohim drejtat tek komunat me shumicë serbe, drejtat e tyre janë shumë të avancuara. Psh Graçanica, Mitrovica e Veriut kanë kompetenca të zgjeruara që njihen me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale dhe i referohen Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.“, tha ai.
Ai ka thënë se të drejtat e serbëve në Kosovë që bazohen në Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale, e tejkalojnë atë, madje edhe Këshilli i Evropës mund t’i drejtohet Kosovës për këtë ‘problem’.
“Madje edhe e tejkalojnë atë. Është shembull që ndoshta Këshilli i Evropës duhet me iu referu Kosovës, se si kemi arritur na që me i zgjeru këto të drejta për një minoritet që nuk është më shumë se 5%. Pra unë mendoj se ne s’kemi çfarë të ofrojmë më shumë.”, deklaroi ai në INFO10.
Tutje, ai ka thënë se si model i pranueshëm për Kosovën është vetëm ai që përputhet me Kushtetutën, duke theksuar se çdo largim nga ky parim do ta paralizoj shtetin e Kosovës.
“Modeli më i pranueshëm për ne është cili do që është në kuadër të ligjeve të Kushtetues së Kosovës. Ka shumë modele e lloje të ndryshme të Asociacionit, është shumë okej më marrë pjesë të ndryshme që ju përshtaten Kosovës. Mendoj që është e rëndësishme që në këtë drejtim edhe aleatët i kemi në anën tonë që mendojnë se çfarëdo mekanizmi strukture që të krijohet të jetë në përputhje me sistemin ligjor kushtetues të Kosovës. Dhe të shmanget çfarëdo lloj tjetër Republike Serbe apo çfarëdo lloj mostre tjetër që kish me paralizu shtetin tonë të ri.”, tha ai.
Për propozimet që modeli kroat të përdoret për Asociacionin, ai ka thënë se me Kushtetutën e Kosovës, të drejtat e serbëve janë më shumë të garantuara se në atë që modeli kroat iu ofron atyre atje./Gazeta10