Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Komandanti i KFOR-it thotë se nuk do të lejojnë të ndodhin trazira në Kosovë 

Gazeta10
23 August 2022 - 18:50

Ferenc Kajari – Komandant i KFOR-it në Kosovë, ka folur për situatën e sigurisë në vend, me theks të veçantë në veri të vendit, si dhe mundësitë e trazirave në rast të mosarritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë. 

Kajari ka vlerësuar se gjendja e sigurisë në pjesën veriore është qetësuar pas ngjarjeve të fundit, teksa ka thënë se pret që negociatat që janë në vazhdim të rezultojnë me një marrëveshje. 

“KFOR-i ka vendosur pikat e vrojtimit dhe pikat e kontrollit teknik në të gjithë hapësirën. Po ashtu, kemi rritur edhe aktivitetin patrullues në gjithë rajonin. Këto masa janë marrë për të qenë në gjendje për çfarëdolloj incidenti dhe për një siguri më të madhe. Nëse ka tensione, ne do të veprojmë sipas mandatit tonë”, ka thënë Kajari për transmetuesin publik. 

Ai më tej ka deklaruar se KFOR-i nuk do të lejojë barrikadimin e rrugëve, sepse Rezoluta 1244 e OKB-së i jep dy detyra KFOR-it: “për ta mbajtur mjedisin e sigurt dhe rregullin në Kosovë dhe për ta ruajtur lirinë e lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët“. 

Nëse krijohen barrikada kjo e pengon lëvizjen e lirë dhe nëse nuk arrihet marrëveshja, atëherë do të arrijmë në një moment ku KFOR-i do të duhet të veprojë për të mundësuar lirinë e lëvizjes”, ka shtuar më tej Kajari. 

Teksa, ka kërkuar nga të gjitha palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe për gjithçka të negociohet dhe të arrihet marrëveshje politike, pasi sipas tij “vendosja e barrikadave nuk ndihmon në zgjidhjen e situatës”. 

Intervista e plotë e Komandantit të KFOR-it do të transmetohet sonte në RTK Prime./Gazeta10 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.