
Komuna e Malishevës ankohet për buxhetin e vogël që ka në dispozicion. Sipas zyrtarëve të kësaj komune, kjo ka bërë që të ketë mungesë të investimeve në disa fusha. Derisa, sipas tyre, me aq sa kanë mundësi, ndarja buxhetore bëhet në atë mënyrë që të prekë të gjitha kategoritë. Nga shoqëria civile kanë dhënë vlerësime pozitive për ndarjet buxhetore të kësaj komune, raporton Gazeta10.
Raporti: Val Ajazi
Kamera: Fisnik Slivova
Mungesa e buxhetit ka bërë që Komuna e Malishevës të ngecë në realizimin e disa projekteve infrastrukturore.
Kjo ka bërë që disa vendbanime të përballen me mungesë të ujit të pijshëm dhe rrjetit të kanalizimit.
Nga kjo komunë kanë thënë se fokus kryesor mbeten investimet në infrastrukturën rrugore, me theks të veçantë në qendër të qytetit.
Përveç kësaj, sipas drejtorit të Financave, Blerim Thaçi, shpërndarja e buxhetit bëhet edhe te disa kategori, përfshirë edhe të rinjtë dhe komunitetet, me aq sa ka kapacitet buxhetor.
Me mënyrën e ndarjes së buxhetit, vlerësime pozitive kanë dhënë përfaqësues të shoqërisë civile në këtë komunë.
Ata kanë thënë se menaxhimi i buxhetit dhe shpërndarja e tij prekë disa kategori dhe se kryesisht janë marr parasysh edhe kërkesat e tyre.
Një ndër investimet më të mëdha infrastrukturore në këtë komunë, aktualisht janë duke vazhduar në projektin e quajtur “Malisheva urbane”, duke kaluar shifrën mbi 10 milionë euro dhe që pritet të përfundojë brenda dy vjetësh./Gazeta10.