
Tyson Fury do të luftojë kundër Dereck Chisoras për titullin e botës në kategorinë e rëndë në WBC, në atë që do të jetë përballja e tretë mes tyre, më 3 dhjetor në stadiumin e Tottenhamit në Londër.
Kjo luftë do të zhvillohet pasi bisedimet për supërluftën britanike mes Furyt dhe Anthony Joshuas dështuan.
“Kurdo që Tyson Fury lufton, është një ngjarje e madhe, dhe pres që ai përsëri të bëjë shfaqje spektakolare për tifozët”, tha promotori i Furyt Bob Arum.
Ai shtoi: “Jemi në bisedime se çfarë do të bëjmë në të ardhmen për Tysonin, por në radhë të parë është beteja kundër një luftëtari jashtëzakonisht të fortë Derek Chisora”.
Fury është përballur me Chisoran dy herë në të kaluarën, duke e mundur atë me pikë në luftën për titullin britanik më 2011 dhe duke e nokautuar Chisoran për titullin e kampionit evropian më 2014.
Fury është i pamposhtur në 32 luftërat e tij deri tani, derisa 38-vjeçari Chisora po i afrohet përfundimit të karrierës dhe i ka tri disfata në katër luftërat e fundit.