Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kongresistë amerikanë me rezolutë kërkojnë ndëshkimin e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë

Gazeta10
21 April 2025 - 22:08

Në Kongresin e SHBA-së është paraqitur një rezolutë, nga kongresistë demokratë dhe republikanë, e cila kërkon të nderohet e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman dhe po ashtu kërkon t’i jepet fund pandëshkueshmërisë për krimet e luftës të kryera nga forcat serbe.

Rezoluta është paraqitur nga kongresistja Julie Johnson, ndërsa është sponsorizuar nga kongresistë tjerë si Keith Self, Ritchie Torres, Jim McGovern, Marc Veasey, Alexandra Ocasio-Cortez, George Latimer, Mike Lawler dhe Ilhan Omar.

“Forca e Vasfijes ka frymëzuar njerëz të shumtë në mbarë botën, por drejtësia për atë që ajo duroi kurrë s’ka ardhur. Kjo rezolutë dërgon një mesazh të qartë: komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të shikojë larg nga krimet e luftës. Të mbijetuarit meritojnë përgjegjësi – jo heshtje. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me atë që ndodhi 25 vjet më parë – ka të bëjë me atë që ne jemi të gatshëm të bëjmë tani për t’i mbrojtur të drejtat e njeriut, për t’i fuqizuar të mbijetuarit dhe për të thënë të vërtetën”, ka thënë kongresistja Johnson.

Vasfije Krasniqi ka falënderuar kongresistët për rezolutën.

Në rezolutë i kërkohet Qeverisë së Kosovës t’i mbajë zotimet ndaj të mbijetuarve dhe t’u japë prioritet rasteve të pazgjidhura të dhunës seksuale nga lufta e vitit 1999. I bëhet thirrje Qeverisë së Serbisë t’i ndjekë penalisht ata që janë përgjegjës për krimet seksuale gjatë luftës. I bën presion Qeverisë së SHBA-së që të lartësojë rastin e Vasfije Krasniqi-Goodmanit në angazhimet diplomatike me Serbinë dhe të forcojë përpjekjet e SHBA-së për ta parandaluar dhunën me baza gjinore në nivelin global.

“Kjo rezolutë është dëshmi e një përkushtimi të palëkundur ndaj drejtësisë dhe llogaridhënies për 20 mijë të mbijetuarve të krimeve seksuale gjatë luftës në Kosovë. Faleminderit për mbështetjen tuaj të pandërprerë ndaj të mbijetuarve në kërkim tonë për drejtësi dhe llogaridhënie, dhe mezi presim ta zhvendosim këtë legjislacion në Komision për Punë të Jashtme dhe edhe më tej”, ka thënë Vasfije Krasniqi.

Bashkëhartuese e rezolutës është Vera Mjeku.

Vasfije Krasniqi-Goodman ka shkruar në Facebook për Rezolutën 26, ku i ka falënderuar si kongresistët që e paraqitën ashtu edhe bashkëhartuesen Vera Mjeku.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.