Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kongresistët amerikanë shkojnë në Presidencë, takojnë Haxhiun

Gazeta10
27 May 2026 - 11:40

Dy kongresistë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Keith Self dhe Suhas Subramanyam, kanë filluar takimin në Presidencën e Kosovës me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu.

Delegacioni amerikan gjatë vizitës në rajon pritet të zhvillojë takime me përfaqësues të institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe me përfaqësues të institucioneve të sigurisë ndërkombëtare dhe vendore. Po ashtu, janë paraparë takime edhe me përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediave.

Gjatë vizitës në Luginën e Preshevës, kongresisti Keith Self ka folur për sfidat mes shqiptarëve dhe Serbisë, duke theksuar nevojën për njohje më të mirë të situatës në terren.

“Kemi parë se ka probleme reale mes shqiptarëve dhe Serbisë, siç edhe e kemi ditur. Por, do të shkojmë edhe në Kosovë për të mësuar për pakicën serbe atje. Pra, po i vizitojmë të dyja vendet për të kuptuar se si trajtohen pakicat dhe cilat janë të drejtat e tyre”, tha Self.

Ndërkohë, kongresisti nga radhët e Demokratëve, Suhas Subramanyam, ka ngritur çështjen e arsimit dhe zhvillimit të pabarabartë si probleme kryesore për shqiptarët në Luginën e Preshevës.

Nga ana tjetër, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka vlerësuar vizitën si të rëndësishme, duke thënë se ajo tregon se çështjet e shqiptarëve në Luginë po marrin vëmendje ndërkombëtare.

“Përshtypja jonë nga ky takim është jashtëzakonisht pozitive, ku kongresmenët kanë treguar interesim të madh, kanë kërkuar detaje konkrete për shumë çështje që i prekëm gjatë diskutimeve. Kjo na jep shpresë se zëri i shqiptarëve të Luginës po dëgjohet edhe më shumë nga vendimmarrësit ndërkombëtarë përtej Atlantikut”, tha Sinani.

Ndërsa deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka theksuar se ndërkohë që Beogradi kërkon standarde të larta për serbët në Kosovë, të njëjtat nuk po zbatohen për shqiptarët në Luginën e Preshevës. /eo

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.