Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Koreja e Veriut refuzon ofertën e Jugut për ndihmë ekonomike

Gazeta10
19 Gusht 2022 - 11:08

Koreja e Veriut ka refuzuar ofertën e Koresë së Jugut për mbështetje ekonomike në këmbim të denuklearizimit, duke thënë se propozimi sugjeron se presidenti Yoon Suk Yeol është “me të vërtetë i thjeshtë”, raportoi media shtetërore KCNA të premten, shkruan CNN, transmeton Gazeta10.

Kim Yo Jong, zyrtare i lartë dhe motra e udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, kritikoi ofertën e Yoon për të përmirësuar ekonominë e Koresë së Veriut dhe jetesën e popullit të saj si “iluzion”.

Yoon fillimisht propozoi atë që ai e quajti një “plan të guximshëm” për të shkëmbyer bashkëpunimin ekonomik për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut gjatë fjalimit të tij të inaugurimit në maj. Që atëherë ai ka vazhduar të ngrejë idenë, duke e përsëritur ofertën këtë javë.

Në një fjalim të hënën, ai tha se qeveria e tij do të zbatojë një program ushqimor në shkallë të gjerë, do të ofrojë ndihmë për prodhimin e energjisë, do të përmirësojë bujqësinë dhe masa të tjera për të modernizuar portet, rrugët tregtare, spitalet dhe ekonominë e Koresë së Veriut në këmbim të denuklearizimit, shkruan CNN.

Por në raportin e KCNA, Kim Yo Jong e hodhi poshtë propozimin dhe sulmoi personalisht Presidentin e Koresë së Jugut.

“Të mendosh se plani për të shkëmbyer ‘bashkëpunimin ekonomik’ për nderin tonë, armët bërthamore, është ëndrra, shpresa dhe plani i madh i Yoon, arritëm të kuptojmë se ai është vërtet i thjeshtë dhe ende fëminor,” tha Kim Yo Jong, sipas KCNA. “Ne e bëjmë të qartë se nuk do të ulemi ballë për ballë me të”.

Ministria e Unifikimit e Koresë së Jugut u përgjigj të premten, duke shprehur “keqardhje të fortë” për “komentet mosrespektuese” të Kim Yo Jong.

Ai tha se Koreja e Veriut kishte “shtrembëruar idetë tona dhe përmendi synimin e saj për të vazhduar zhvillimin bërthamor në vend që t’i përgjigjet nismës së guximshme”, duke shtuar se një qëndrim i tillë jo vetëm që do të kërcënonte paqen në Gadishullin Korean, por do të përkeqësonte situatën ekonomike të vetë Koresë së Veriut.

Në raportin e KCNA, Kim Yo Jong tha gjithashtu se Koreja e Jugut kishte gjetur vendndodhjen e gabuar për raketat që Koreja e Veriut lëshoi të mërkurën dhe pyeti pse Jugu dhe Shtetet e Bashkuara nuk kishin publikuar analizën e tyre të armëve, shkruan CNN.

Korea Veriore lëshoi dy raketa lundrimi nga qyteti bregdetar Onchon në ujërat jashtë bregut perëndimor të mërkurën, sipas ushtrisë koreano-jugore.

Por Kim Yo Jong pretendoi se testi ishte kryer nga Ura Kumsong në qytetin Anju, që ndodhet në provincën e Pyongan-it jugor, në veri të kryeqytetit Phenian. Ajo nuk dha detaje të mëtejshme të testit.

Testi i së mërkurës shënon lëshimin e 18-të të raketës së Koresë së Veriut këtë vit, sipas numërimit të CNN.
Për krahasim, Koreja e Veriut kreu vetëm katër teste në vitin 2020 dhe tetë në 2021.
Tensionet midis dy Koreve janë rritur këtë vit, me ushtrinë dhe agjencitë e inteligjencës amerikane që paralajmërojnë se Koreja e Veriut duket se po përgatitet për një provë bërthamore – e cila do të ishte e para në pesë vjet, shkruan CNN./Gazeta10.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.