
Kombëtarja e Kosovës ka shënuar rënie për një pozitë në ranglistën e FIFA-s.
“Dardanët” nga pozita e 101-të kanë rënë në atë të 102-të në rangimit e shtëpisë më të madhe të futbollit botëror.
Kosova nuk ka luajtur asnjë ndeshje që nga nëntori i vitit të kaluar, kur e përmbylli kampanjën kualifikuese me humbje në shtëpi kundër Bjellorusisë.
“Dardanët” në mars do të luajnë dy ndeshje miqësore si mysafir, më 22 mars kundër Armenisë dhe 26 mars ndaj Hungarisë.
Kosova është pa selektor që prej largimit të Primoz Glihas në muajin nëntor.
Rënie për dy pozita në ranglistën e FIFA-s ka pësuar edhe kombëtarja shqiptare.
“Kuqezinjtë” nga pozita e 62-të kanë rënë në pozitën e 64-të të kësaj ranglistë.
Për një pozitë ka rënë edhe Zvicra, ku rregullisht paraqiten kapiteni Granit Xhaka dhe zëvendëskapiteni, Xherdan Shaqiri.
Kampionia e botës, Argjentina mbetet në vendin e parë, nënkampionia Franca në pozitën e dytë, ndërsa Anglia në vendin e tretë.