
Fitoret gjatë muajit tetor dolën të jenë të frytshme për kombëtaren e Shqipërisë e përfaqësuesen e Kosovës në ranglistën e re të FIFA-s.
Si Shqipëria, ashtu edhe Kosova kanë shënuar ngritje në listën e re të përditësuar sot nga FIFA.
Kosova tashmë gjendet në pozitën e 105-të në listë, kështu duke u ngritur për gjashtë pozita në tabelë, krahasuar më muajin e kaluar, aty ku pozicionoheshin në pozitën e 111-të.
Fitorja prej 3-0 ndaj Andorrës ishte arsyeja kryesore për këtë ngjitje në listë të Kosovës, e cila në muajin shtator qëndronte më keq me rezultate, duke marrë vetëm
një barazim e një humbje.
Ngritje të madhe në listë shënoi edhe kombëtarja shqiptare, e cila nga vendi i 62-të sa ishte muajin e kaluar, tashmë e gjen vetën në pozitën e 59-të.
“Kuqezinjtë” gjatë muajit tetor shënuan dy rezultate të mëdha, duke mos pësuar as edhe një gol të vetëm në dy ndeshjet.
Fillimisht, të besuarit e Sylvinhos mposhtën në “Air Albania” ndaj Çekisë me rezultat 3-0, gjersa në ndeshjen e dytë të muajit u përballen me Bullgarinë në ndeshje miqësore, të cilën e fituan 2-0.
E para në ranglistën e FIFA-s vazhdon të jetë kombëtarja kampione e botës, Argjentina, e ndjekur nga Franca në pozitën e dytë.
Shqipëria është shumë afër rishkruarjes së historisë, duke qenë vetëm një pikë larg “EURO 2024”.
Në anën tjetër, Kosovës tashmë iu kanë shuar gjasat për një kualifikim në kampionatin evropian që mbahet në Gjermani vitin e ardhshëm.