
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një shkrimi në Facebook ka bërë të ditur se Kosova e ka fituar rastin kundër kompanisë financiare “IuteCredit” në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, raporton Gazeta10.
Ai tha se pretendimet e ‘IuteCredit’ se revokimi i licencës nga Banka Qendrore e Kosovës ishte arbritrat dhe i paligjshëm janë hedhur poshtë në tërësi nga Tribunali i Arbitrazhit.
“Republika e Kosovës shënon fitoren e radhës në arbitrazhin ndërkombëtar, duke vërtetuar ligjshmërinë e veprimeve institucionale ndaj investitorëve. Republika jonë ka krijuar ambient të përshtatshëm për investime të huaja dhe marrëdhënieve me investitorë i qaset me përkushtim e seriozitet të plotë.Kompania mikrofinanciare IuteCredit kishte paditur shtetin e Kosovës në arbitrazh me pretendimin që revokimi i licencës nga Banka Qendrore e Kosovës ishte arbitrar dhe i paligjshëm, pretendime këto që u hodhen poshtë në tërësi nga Tribunali i Arbitrazhit”, ka shkruar Kurti.
Tutje, kryeministri tha se si pasojë e kësaj fitoreje, Ministria e Drejtësisë i ka shpëtuar buxhetit të taksapaguesve mbi 30 milionë euro./Gazeta10