
Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave për të dytin vit radhazi ka triumfuar në turneun ndërkombëtar “Turkish Women’s Cup”, që u mbajt në Alanya.
Pas fitoreve ndaj Hong Kongut dhe Estonisë, Dardanet të martën në ndeshjen e fundit dhe përcaktuese për vendin e parë e kanë mundur Indinë, me rezultat 1:0.
Ndeshja ishte mjaft interesante, ku të dyja ekipet shfaqën dëshirë për fitore dhe për t’iu gëzuar trofeut.
Megjithatë, ishin Dardanet ato që në fund u shpërblyen për këmbëngulësinë e tyre fitore, teksa në minutën e 3-të të kohës shtesë Erëleta Memeti bëri një driblim të shkëlqyeshëm në zonën e Indisë dhe me gjuajtje të saktë dërgoi topin në rrjetë, duke e vulosur kësisoj fitoren e Kosovës.
Dardanet kanë shfaqur formë të jashtëzakonshme gjatë gjithë turneut nën drejtimin e përzgjedhësea Anneli Andersen, duke vazhduar serinë pa humbje edhe këtë vit.
Kosova gjatë vitit të kaluar e rendit e para në grupin C5 të Ligës së Kombeve, duke u promovuar në Ligën B të këtij kompeticioni.