
Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje për pjesëmarrje në “Marshin për Liri”, i cili do të mbahet në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me proces gjyqësor në Hagë.
Përmes një postimi në Instagram, Thaçi ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen marshit, duke përcjellë mesazhin “Kosova po pret”.

“Marshi për Liri” është paralajmëruar të mbahet më 12 shtator, duke filluar nga ora 14:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Marshi organizohet nga iniciativa “Liria ka Emër” dhe zhvillohet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë Hashim Thaçin, të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.