
Raporti: Saranda Aliu / Kanal10
Liderët shtetërorë Osmani, Kurti e Konjufca janë solidarizuar me Ukrainën në një vjetorin e fillimit të luftës. Në ceremoninë e takimit të tyre me gazetarët ukrainas, u tha se Kosova bashkëndjen me popullin ukrainas për shkak të vuajtjes nga lufta që ka përjetuar në të kaluarën. Gazetarët e Ukrainës të strehuar në Kosovë janë shprehur falënderues ndaj shtetit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme.
Shteti i Ukrainës, ishte kryefjala e aktiviteteve të kësaj të premte.
Në ditën kur u bënë një vit prej se Rusia nisi luftën ndaj Ukrainës, qeveria e Kosovës organizoi një ceremoni.
Kjo për ti’u dorëzuar letra falënderimi gazetarëve ukrainas të strehuar në Kosovë.
E para e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se fitorja e Ukrainës është fitore për secilin që beson në vlerat e demokracisë, derisa është shprehur se lufta e tyre është lufta e Kosovës.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë se 12 gazetarët Ukrainës që janë strehuar në Kosovë janë urë lidhëse për t’u afruar dy popujt.
Mbështetje popullit ukrainas u ka dhënë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Në emër të gazetarëve që janë strehuar në Kosovë, ka folur Liudmyla Makei, e cila ka treguar mbështetjen që po u bëhet atyre.
Që nga nisja e luftës në Ukrainë më 24 shkurt 2022, deri më tani Kosova ka strehuar 12 gazetarë, në kuadër të programit “Journalists in Residence-Kosovo”, të financuar nga ekzekutivi kosovar.